Tiranë | Rama: Berisha të përgjigjet për linjën 400 kw Kosovë-Shqipëri

rama

Në mbledhjen e përjavshme të grupit parlamentar socialist, Rama deklaroi se PS do të thërrasë kryeministrin Sali Berisha në një interpelancë në parlament, për të dhënë shpjegime për këtë projekt. “Berisha duhet të përgjigjet publikisht, pse është bllokuar prej një viti ky projekt strategjik për Shqipërinë dhe Kosovën; pse qeveria dhe Berisha nuk i kanë dhënë përgjigje financuesit prej një viti dhe pse qeveria e ka parë të udhës të sillet në kundërshtim me normat etike e ligjore në kushtet e një bashkëpunimi me një donator të rëndësishëm për një çështje kaq të rëndësishme sa çështë pavarësia energjetike e Kosovës”, tha kryetari i PS-së. Rama tha se nuk ka mundësi që Berisha të mos jetë në dijeni të shfaqjes së turpshme, madje e ka akuzuar se ai është regjisori i kësaj shfaqje të turpshme, që i qëndron si njollë jo qeverisë së tij, por gjithë vendit. “Kjo linjë do ishte drejt përfundimit, ndërkohë që bllokimi i saj mban peng politikën e Kosovës, por sjell dëm dhe në bashkëpunimin me një donator të fuqishëm, si Gjermania”, nënvizoi Rama. Ai kërkoi veprim të menjëhershem të projektit që çliron Kosovën nga monopoli me Serbinë sa i takon linjës së furnizimit me energji, ndërsa i ka kërkuar kryeministrit Berisha të sqarojë arsyet e bllokimit. Kryetari i PS-së theksoi se rritja ekonomike në tre muajt e parë të këtij viti është zero, ndërsa shtoi se qeveria ka gënjyer kur ka deklaruar se janë ulur taksat. Sipas tij, nga analiza e të dhënave për gjithë periudhën e qeverisjes së PD-së volumi i importeve ka ngelur po ai. “Shqipëria importon dy herë më shtrenjtë për të njëjtën sasi importi dhe për këtë paguajnë njerëzit e zakonshëm”, shtoi Rama.

Advertisement