Tiranë – Rama bën të ditura kushtet e PS ndaj Kuvendit

Dhe një here tjetër kreu i selisë rozë theksoi se Partia Socialiste e Shqipërisë e vlerëson rezultatin e këtyre zgjedhjeve të papranueshme, si shprehje e deformuar e vullnetit të zgjedhësve nga manipulimi e korrupsioni elektoral dhe legjitimitetin politik e moral të institucioneve të dala prej tyre si thellësisht të cunguar. Kreu i selisë rozë ka bërë të ditur se qëndrimi zyrtar i PS është se ne kërkojmë të trajtojmë në sytë e opinionit publik të gjitha ato çështje që kanë të bëjnë me standardet e munguara të zgjedhjeve të 28 qershorit, me njehsimin e shtetit me pushtetin, për favorizimin e këtij të fundit, si edhe me mungesën e barazisë dhe të eksesit në median publike e po ashtu edhe në tërësi në hapësirën mediatik, e cila në një mënyrë apo në një tjetër është trysnuar dhe influencuar nga ushtrimi abuziv i pushtetit të këshillit kombëtar të radio-televizioneve. E gjithë kjo ka të bëj me demokracinë, ka të bëjë me cilësinë e demokracisë, ka të bëj me barazinë e domosdoshme të të gjitha subjekteve në jetën demokratike, ka të bëj me domosdoshmërinë për t’i garantuar çdo zgjedhësi e zgjedhëseje lirinë për të zgjedhur, për të garantuar ndershmërinë e domosdoshme në numërimin e votave dhe njëkohësisht për të garantuar standarde ndërkombëtare zgjedhjesh. Jo zgjedhje më të mira se ato kishim më parë, por zgjedhje si në çdo vend të BE-së dhe si në çdo vend anëtar të NATO. Kushtet e PS të bëra të ditura nga kreu Rama ishin: – Duam të sigurojmë transparencën e nevojshme për të gjitha pretendimet për shkelje dhe parregullsi të zgjedhjeve të 29 qershorit 2009, nëpërmjet administrimit të çdo materiali zyrtar, dëshmie apo dokumenti që lidhet me zgjedhjet, përfshirë materialet zgjedhore që ndodhen në kutitë e votimit. – Kërkojmë identifikimin e përgjegjësive të të gjithë zyrtarëve të Ministrisë së Drejtësisë apo administratës së burgjeve që në kundërshtim me legjislacionin në fuqi, kanë pajisur me leje lirimi të përkohshme gjatë periudhës elektorale 29 maj – 28 qershor 2009, persona të dënuar. – Synojmë evidentimin dhe rikthimin në pozicionin e mëparshëm të punës të të gjithë punonjësve të shtetit në administratën vendore e qendrore ose në çdo ent publik, të pushuar nga puna apo transferuar gjatë dhe pas fushatës zgjedhore, për shkak se kanë marrë pjesë si përfaqësues të opozitës në komisione zgjedhore, apo nuk u janë bindur urdhrave për të marrë pjesë në veprimtarinë politike të Partisë Demokratike dhe qeverisë së saj. – Synojmë gjithashtu identifikimin e përgjegjësive institucionale dhe administrative të të gjithë drejtuesve të institucioneve publike, të cilët në kundërshtim me legjislacionin në fuqi kanë përdorur funksionet dhe asetet publike në shërbim të fushatës elektorale të Partisë Demokratike dhe qeverisë së saj.

Advertisement