Tiranë | Rama: axhendë pune për komisionin e ligjeve me afate të detajuara

rama

Duke e cilësuar programin si hapin e parë në një rrugë të re, Rama lajmëroi se që prej ditës së martë, libri i programit do t’i shpërndahet të gjitha organizavate nga Bajram Curri e deri në Konispol. “Programi ynë është dera e hapur. Çdo organizatë duhet të hapë derën e saj për këdo që kërkon ta diskutojë me ne këtë program. Kjo nënkupton, jo vetëm mbledhjet e hapura, por që ne të shkojmë tek njerëzit. Për këtë javë të re parlamentare propozohet hapi i ri për ligjet me 3/5 e votave. Të dorëzojmë në Kuvend një axhendë pune për komisionin e ligjeve ku të detajohen afatet, e ku të mos i lihet hapësirë pazaresh mazhorancës. Të gjitha komisionet të përshpejtojnë punën për të përgatitur debatin për buxhetin 2012. Shqiptarët duhet të dëgjojnë në debat të gjitha aspektet që dallojnë qeverinë e sotme me qeverinë tonë të nesërme”, tha Rama në fjalimin e tij të shkurtër. Kryesocialisti Rama tha se programi i ri politik i PS-së do të diskutohet me qytetarët në mbarë vendin dhe në këtë proces do të përfshihen edhe anëtaret e rinj të Asamblesë Kombëtare. “Hapja e diskutimit për programin, do të bëhet paralel me hapjen e partisë. Në mënyrë, që sikundër kemi thënë, në vitin 2012 anëtarësia jonë të rritet me 30%”, tha Rama përpara deputetëve.

Advertisement