Tiranë | Rama akuzon Imamin: përgjon opozitën

alt

Në fillim të mbledhjes, kryetari i PS-së akuzoi ministrin e Mbrojtjes, Arben Imami se ka urdhëruar blerjen e një pajisjeje për përgjimin e kundërshtarëve të qeverisë. “Blerja e pajisjes është në kundërshtim të plotë me ligjin shqiptar për përgjimet. Ky skandal i jep këtij shteti përmasën që në fakt ka kohë që e ka, përmasën e një shteti policor që vjedh vota dhe pasuri publike”, tha ai. Në këto kushte, sipas Ramës, nuk mund të lejohet që çështja e kufizimit të imunitetit të kthehet në kufizim lirie. “Para se të kërkojë nga opozita votën për ndryshimin e Kushtetutës për imunitetin, kryeministri duhet të bëjë transparencë për përgjimin e opozitës nga Ministria e Mbrojtjes. Kjo ministri duhet të verë në dispozicion për të gjithë publikun dhe deputetët e opozitës dokumentacionin e blerjes së njësisë së përgjimit”, deklaroi Rama. Më tej, ai nënvizoi qëndrimin e opozitës pro heqjes së imunitetit, duke ripërsëritur se nuk mund të miratojë asnjë “arnim të nxituar të Kushtetutës”. Në deklaratën e sotme për mediat, Rama vlerësoi dhe konsensusin për reformën zgjedhore, duke deklaruar se “zgjedhjet nuk i fiton kodi zgjedhor, por ato fitohen në fushën e betejës elektorale”. Ai tha se, PS që në fillim është shprehur për rishikim të sistemit në kodin zgjedhor, por pa e kushtëzuar me procesin e rishikimit të kodit zgjedhor. “Është koha për të arsyetuar bashkë me aleatët tanë për një proces bashkëpunimi dhe bashkërendimi të energjive për të dalë në një koalicion të plotë”, u shpreh Rama.

Advertisement