Tiranë – Rama 10 ditë afat kryeministrit për hapjen e kutive

Duke nënkuptuar mbylljen e këtij tubimi, Rama paralajmëroi se do të kalohet në një tjetër plan veprimi: “Nëse brenda dhjetë ditësh Sali Berisha nuk hap kutitë e votimit, ne do ta ngremë në këmbë popullin shqiptar dhe do të ndalemi vetëm kur në Shqipëri të jenë shpallur zgjedhjet e parakohshme”, ishte ultimatumi i qartë që Edi Rama i bëri kryeministrit. “Uroj që kjo javë e fundit të nëntorit, të sjellë dritën e arsyes në tunelin e shembur të interesit të Sali Berishës për pushtetin e tij personal”, tha Rama në vijim të fjalës së tij. Në fjalën e tij, Rama tha se “zgjedhje edhe jo të lira edhe të lira, edhe të drejta edhe jo të drejta edhe me standarde edhe pa standarde nuk ka”. Ai siguroi se “ne nuk po kërkojmë pushtetin”, por shtoi se “nëse pushteti na mohon të drejtën të shohim votën, do t’i mohojmë të drejtën pushtetit që të na qeverisë. Rama u serviri të pranishmëve faktin sipas tij se është rritur ndjenja e revoltës ndaj pushtetit aktual. Kurse theksoi se njerëzit janë shtyrë në mendimin se ky pushtet duhet shporrur me dhunë. Këtu Rama tha se fitorja do të vijë me një valë të gjatë protestash para të cilave Berisha do të dorëzohet si një uzurpator. Gjithsesi në fund Rama tha se opozita nuk ka në plan të ushtrojë forcë ose dhunë për të marrë pushtetin, ndërsa shtoi se qeveria aktuale është ilegjitime. “Ne nuk qëndruam këtu për ta pushtuar fizikisht kryeministrinë, por për t’i treguar kryeministrit se ka vetëm një rrugë për të dalë nga kriza, ose të hapë kutitë ose të ikë bashkë me kutitë”, u shpreh Rama në fjalën përmbyllëse të tubimit treditor.

Advertisement