Tiranë – Qeveria rivlerëson buxhetin

Friday, December 12, 2025

Ministri Ridvan Bode, sqaroi se janë rreth 10 miliard lekë që do të rivlerësohen nga buxheti i shtetit. “Janë rreth 8 miliard lekë që i përkasin investimeve publike, tenderat e të cilave nuk janë realizuar në kohë por ka edhe projekte që nuk janë të nevojshme të kryhen brenda këtij viti të cilat do ti anulojmë. Ndërkohë që janë edhe 1.3 miliard lekë të tjera të cilat i kemi kursyer nga shpenzimet operative” tha Bode në komision. Rishikimi i buxhetit bëhet si pasojë e mos mbledhjes së taksave dhe tatimeve në nivelin e programuar në fillim të vitit. Sipas ministrit doganat dhe pushteti lokal janë dy institucionet që kanë pasur probleme në mbledhjen e taksave. Rënie të ndjeshme kanë pësuar doganat si pasojë e rënies së çmimeve në tregjet ndërkombëtare. Duke folur për kursin e këmbimit, ministri pranoi se luhatja e tij ka rritur borxhin e jashtëm të vendit. “Huan më të madhe e kemi në valutë ndaj dhe ndryshimi i kursit të këmbimit na ka sjellë një rivlerësim edhe të borxhit të jashtëm” u shpreh Bode. Ai kërkoi që ekspertët të bëjnë analizat dhe të mos dalin në konkluzione paraprake, pasi sipas tij kjo luhatja e kursit mund të jetë e përkohshme. Ministri kërkoi që në buxhetin e vitit që vjen pushteti lokal duhet të rishikojë shpenzimet operative me tendencë ulje dhe të përqendrohet në realizimin në kohë të investimeve publike.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -