Zv.ministri i Financave, Sherefedin Shehu deklaroi se për momentin nuk është e nevojshme që të merren fonde nga institucionet financiare ndërkombëtare për të përballuar efektet e krizës ekonomike globale. “Që të bashkëpunojmë me FMN-në duhet të kesh marrëveshje e ne momentalisht nuk kemi marrëveshje me ta. Por kjo nuk do të thotë që nëse situata është e tillë që ne të kemi nevojë për mbështetje, të mos shkojmë e të bashkëpunojmë me FMN-në e BB-në. Kemi një program mbështetjeje paraprakisht nga BB që quhet huaja për “politikat e zhvillimit“ që është mbështetje buxhetore. Të shpresojmë që nuk do kemi nevojë”- theksoi Shehu. Një ditë më parë, guvernatori Fullani deklaroi në Parlament se gjatë vitit në vijim, mungesa e likuiditetit, do të jetë problemi më i madh, që do të kenë bizneset, qytetarët dhe rrjedhimisht edhe ekonomia. Kjo për shkak edhe të shtrëngimit të kredive nga bankat.