Tiranë – Qeveria nuk pranon propozimin e opozitës për paisjen me karta identiteti falas

“Kjo është një ide komuniste. Karta falas nuk ka”, u shpreh zëvëndësministri i Financave, Sherefedin Shehu. Vetëm për 750 mijë qytetarët shqiptarë që aktualisht nuk kanë pasaporta, kosto financiare e pajisjes së tyre me karta arrin deri në 9 milionë euro. Nga kjo shumë qeveria do të përballojë 4 milionë euro. Sipas Shehut, qeveria për të nxitur procesin ka lehtësuar edhe skemën e kompensimit. “Tashmë kompensimi do parapaguhet. Nuk do të pritet që personat të shkojnë dhe të paguajnë lekët më parë dhe më pas të marrin subvencionet”, u shpreh Shehu. Paisja e qytetarëve me karta, kur duhen edhe dy muaj nga data e zgjedhjeve të përgjithshme, është shndërruar në debat të nxehtë politik. Opozita thotë se qytetarët nuk kanë mundësi financiare për të paguar, atë që ajo e quan taksa e votës, cka sipas saj rrezikon të hedhë në erë procesin zgjedhor dhe besueshmërinë e zgjedhjeve. Por qeveria duket e vendosur për të mos pranuar idenë e kartave falas, duke paralajmëruar thellimin e mëtejshëm të këtij konflikti politik.

Advertisement