Në mbledhjen e sotme të Këshillit të Ministrave u miratua vendimi “Për miratimin e vlerës së dëmeve të shkaktuara në objektet, në pronë private, si rrjedhojë e tërmetit rënë në qarkun e Dibrës, dhe të listave emërore me vlerat përfituese”. Ky projektvendim ka për qëllim miratimin e vlerës së dëmeve të shkaktuara nga tërmeti i datës 7 shtator 2009, në qarkun e Dibrës, vlerësimi i të cilave është bërë në bazë të çmimeve të miratuara për këtë qark, nga Enti Kombëtar i Banesave. Nga verifikimet e bëra rezulton të jenë 1437 banesa të dëmtuara, me një vlerë dëmesh të llogaritur në mbi 129.359.122 lekë. Në këtë vendim është parashikuar që një pjesë e fondit të përballohet nga Ministria e Brendshme në zërin “Emergjencat Civile”, ndërsa pjesa tjetër do të përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit për vitin 2009.