Rregullimi i ri ligjor detyron biznesin e vogël të blejë vetë kasat fiskale, por cmimi i tyre do t’u njihet si taksë e paguar. Kryeministri Berisha tha se projektligji i qeverisë përfshin në këtë skemë edhe ata biznesmenë që kanë blerë më parë kasat fiskale. “Dua të garantoj biznesmenët, që kanë paguar kasat se ata, njësoj si ata që do t’i vendosin, do t’u rimbursohen, duke ua njohur taksë të paguar, duke ua zbritur nga taksat. Me këtë ligj që shkon në parlament, kasat do t’í kushtojnë zero biznesit shqiptar”, tha Berisha. “Natyrisht duhet kompensuar pushteti vendor për zbtritjen që bëhet nga cmimi i kasave, sepse nuk kemi ndërmend të pakësojmë buxhetet për qeveritë vendore. Uroj që zoti Rama ta votojë këtë ligj. Ai deklaroi se qeveria po fut duart në arkën e pushtetit. Jo zotëri, që të gjitha do t’i kompensojë qeveria”, tha Berisha. Sipas kryeministrit Berisha akuzat e kreut të opozitës Edi Rama për klientelizëm dhe korrupsion në shpalljen fituese të 5 kompanive që tregtojnë kasa fiskale, kanë për bazë interesa brenda Partisë Socialiste, të cilat sipas kryeministrit do të bëhen së shpejti publike. “Ky projektligj i jep përgjigje të shkëlqyer cdo spekulimi dhe uroj që ta nxjerrë nga kasa edhe rivalin tim se e shoh që po vuan shpirtërisht shumë, për shkak të kasave. Dua t’u bëj me dije qytetarëve se, përsa i përket atyre që po vendosin kasat, ajo është cështje e luftës së brendshme. Jo midis tyre. Ata po bëjnë punën, por do të dalë më vonë, shumë shpejt se ku janë lidhjet dhe ku fle lepuri. Një gjë ju garantoj, se është luftë midis klaneve të atyre që bërtasin cdo ditë për kasat”, theksoi Berisha.


