Tiranë | Qeveria e re, Rama prezanton emrat

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, prezantoi gjatë një konference për shtyp emrat e ministrave të qeverisë së re. Përjashtimin nga bashkëqeverisja të aleatëve, Rama e cilësoi si “përjashtim nga përgjegjësia e madhe që shqiptarët i ngarkuan PS-së dhe LSI-së, duke i konfirmuar si shumicë plebishitare më 23 qershor”. Një tjetër argument i Ramës për përqëndrimin e qeverisë në duart e PS-së dhe LSI-së, ishte edhe mosndarja e kabinetit në parcela partiake, sic i quajti ai praktikat e mëparshme qeverisëse. “Mjaft më me procese qeverisëse të copëtuara në parcela partiake dhe mandate qeverisëse, ku qeveria bëhet trup i vetëm të shajë opozitën në parlament”, tha ai. Rama solli si risi në këtë prezantim edhe faktin se rreth 90% e ministrave të rinj, marrin për herë të parë post ministror, apo prezencën në kabinetin qeverisës të numrit më të lartë të grave që një qeveri shqiptare ka patur ndonjeherë. Rama u shpreh se qeveria e re do të jetë mishërimi i boshtit strategjik të vizionit të PS-së për t`i dhënë më shumë hapësira grave dhe për të përfshirë në qeverisje edhe shoqërinë civile. “Qeveria e re do të ketë vetëm një pjesë pa mandat deputeti, ndërsa pjesën tjeter me mandatin e 23 qershorin në Kuvend. Ajo është fryt i një dialogu intensiv me partnerin strategjik, kreun e LSI që dua ta falenderoj për frymën konstruktive për formimin e kabinetit të ri qeveritar” tha Rama. Sipas tij, qeverisja duhet të mishërojë vlerat e punës si një skuader. “Mjaft me procesin qeverises te copëzuar në parcela interesash vetjake e partiake dhe mandatet qeverisëse, ku qeveria bëhet trup për të sharë opozitën në Kuvend. Qeveria e re do të jetë një skuadër me 90% të njerëzve që ulen për herë të parë dhe më shumë gra se çkane pasur qeveritë e vendit në 20 vjet. Këto janë shprehja kuptimplotë e diktatit të revolucionit të votës në 23 qershor. Do të shihni gra në vende që në një shekull shtet kanë qenë me tapi vetëm për burra. Gjithçka është e menduar me kujdesin më të madh për të pasur ministra që t’i shërbejnë popullit dhe do të punojnë ditë natë me axhendën e qeverisë së re për të ecuar më shpejt në rrugën e rilindjes shqiptare” tha ai.

Emrat e qeverisë së re:
Kryeministër – Edi Rama
Zv/Kryeministër – Niko Peleshi
Ministria e Financave – Shkëlqim Cani
Ministria e Brendshme – Saimir Tahiri
Ministria e Mbrojtjes – Mimi Kodheli
Ministria e Jashtme – Ditmir Bushati
Ministria e Integrimit Europian – Klajda Gjosha
Ministria e Drejtësisë – Nasip Naço
Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes – Arben Ahmetaj
Ministria e Energjisë dhe Industrisë – Damian Gjiknuri
Ministria e Zhvillimit Urban dhe Turizmit – Eglantina Gjermeni
Ministria e Transportit dhe Infrastrukturës – Edmond Haxhinasto
Ministria e Bujqësisë, Zhvillimit Rural, Administrimit të Ujërave – Edmond Panariti
Ministria e Shëndetësisë – Ilir Beqja
Ministria e Arsimit dhe Sportit – Lindita Nikolla
Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë – Erjon Veliaj
Ministria e Kulturës – Mirela Kumbaro
Ministria e Mjedisit – Lefter Koka
Ministra pa portofol:
Ministër për Inovacionin dhe Administratën Publike – Milena Harito
Ministër për Çështjet Vendore – Blend Çuçi
Ministër për Marrëdhëniet me Parlamentin – Ilirjan Celibashi

Advertisement