Kosovë | Marrëveshje me Hungarinë për luftën ndaj krimit

Kosova dhe Hungaria nënshkruan sot në Prishtinë marrëveshje të bashkëpunimit për parandalimin dhe luftimin e krimit. Marrëveshja u nënshkrua nga ministri kosovar i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi dhe ambasadori i Hungarisë në Kosovë, Lorant Balla. Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës thekson se marrëveshje të tilla ka nënshkruar me shtete të rajonit dhe të Bashkimit Evropian. Me këtë bazë ligjore dhe me një bashkëpunim të ngushtë do të zvogëlohet veprimtaria e krimit të organizuar. “Sot nënshkruam marrëveshjen e bashkëpunimit policor mes Republikës së Kosovës dhe Hungarisë, me qëllim që të bëjmë shkëmbimin e informatave për prevenimin e formave të ndryshme të krimit, në veçanti të krimit të organizuar, terrorizmit, luftimin e trafikimit të drogave, trafikimin dhe kontrabandimin me njerëz, etj”, deklaroi ministri Rexhepi. Ndërsa ambasadori Balla theksoi se bashkëpunimi policor mes Hungarisë dhe Kosovës edhe deri më tani ka qenë shumë i mirë, ndërsa me nënshkrimin e kësaj marrëveshje koordinimi i bashkëpunimit do të bëhet i shkëlqyer.

Advertisement