Për realizimin e kësaj vepre, Kryeministri Berisha kërkoi nga ministri i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit që “brenda këtij viti të përgatitet tenderi ndërkombëtar për dhënien me koncesion të ndërtimit të unazës së Tiranës.” “Ndërtimi i kësaj unaze, përbën një domosdoshmëri të madhe. Gjatë këtyre muajve, kompani ndër më seriozet kanë treguar interes të madh për të marrë pjesë në ndërtimin e saj. Krahu veriperëndimor dhe perëndimor i saj është jetik edhe për faktin se në dy vitet e ardhshme parashikohet të përfundojë rruga e Arbrit, e cila do të sjellë një trafik të paparashikueshëm, ashtu siç ndodhi me trafikun me ndërtimin e korridorit të kombit. Edhe kjo rrugë do të sjellë një trafik të paparashikueshëm, që kësaj radhe bie direkt në Tiranë, tek shkalla e Tujanit, ura e Brarit” tha Berisha. Ndërtimin i kësaj vepre, tha Kryeministri, ka një rëndësi shumë të madhe gjithashtu për Tiranën, si një nga qytetet me sipërfaqen rrugore më të vogël në Europë dhe në botë. “Në qoftë se standardi urbanistik është mbi 30 për qind sipërfaqe rrugore për qytetin, kryeqyteti i vendit ka gjithsej 14 për qind sipërfaqe rrugore. Çka shprehet me vështirësi të jashtëzakonshme në rritje në trafik, shprehet me një prej ndotjeve më të larta nga automjetet, sepse Tirana nuk ka industritë e mëparshme që ta ndotin,” u shpreh Kryeministri. Kryeministri tha se në ndërtimin e unazës, me gjatësi mbi 30 kilometra dhe e parashikuar me 8 korsi, me përparësi do të shihen dy segmentet më të rëndësishme të saj, me ndikim shumë të madh në trafik. “Unaza, mund të shkojë mbi 30 kilometra dhe po të kemi parasysh se do të jetë me 8 korsi është një vepër shumë e madhe, por dy janë segmentet nevralgjike, në të cilat punimet duhet të fillojnë më së pari’ tha Berisha. Kreu i qeverisë theksoi se ky projekt madhor infrastrukturor do të realizohet në bashkëpunim me të gjitha qeveritë vendore, me atë të Farkës, të Dajtit, Paskuqanit, Kamzës, me qeverinë vendore të Tiranës, aty ku segmenti kalon në territorin e bashkisë së Tiranës. Duke nënvizuar se ky projekt kap vlera shumë të mëdha, Kryeministri tha se qeveria do të marrë përsipër riskun e trafikut. “Ne do t’i qëndrojmë kompanisë që e ndërton me zhdëmtim, në rast se trafiku i parashikuar dhe i përllogaritur nuk do t’i plotësohet. Ky përbën një kusht të favorshëm për angazhimin me koncesion të kompanive të mëdha në këtë vepër të madhe dhe shumë të rëndësishme për qytetin e Tiranës dhe mbarë vendin” tha kryeministri.