Tiranë – Qetësohet gjendja në bulevardin Dëshmorët e Kombit

Nga të njëjtat burime mësohet se mitingu do të mbahet në orën 20:00 përpara kryeministrisë dhe përgjatë Bulevardit “Dëshmorët e Kombit”. Ndërkaq Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama i është drejtuar sot paradite Bulevardit “Dëshmorët e Kombit” për të ndjekur nga afër situatën që po ndodh me montimin e skelave për podiumin e mitingut. Kryeministri Sali Berisha mësohet se ka ndjekur sot paradite situatën që po zhvillohet para selisë së qeverisë. Nga dritarja e zyrës së tij që bie përballë me vendin ku opozita do të zhvillojë mitingun përmbyllës i fushatës elektorale, Berisha ka ndjekur situatën ku policia po mban të bllokuar veprimet e socialistëve që po tentojnë të ndërtojnë podiumin ku pritët të mbahet mitingu. Fytyra e kryeministrit është dalluar qartë nga gazetarët që po ndjekin me vemendje situatën që prej natës së mbrëmshme. Gjatë gjithë kohës kryeministri ka qenë duke folur në telefon Situata është tensionuar rreth orës 11:20. Mbështetës të PS kanë tentuar të hedhin në tokë një karrotrec që po i pengon në ndërtimin e skenës. Forcat policore nga ana tjetër janë munduar të mbajnë fort karrotrecin të mos lëvizë. Një karrotrec është përmbysur, ndërkohë që qytetarë dhe përfaqësues të PS kanë tentuar të hedhin dhe një tjetër. Një i moshuar ka humbur ndjenjat pas konfrontimit mes mbështetësve të Partisë Socialiste me forcat e policisë gjatë tentativës për të lëvizur karrotrecat që mbanin të bllokuar rrugën. I moshuari ka humbur për pak caste ndjenjat pasi një nga furgonet e policisë në lëvizje e sipër e ka përplasur. I moshuari, emri i të cilit ende nuk dihet është dërguar me urgjencë me një makinë të përfaqësuesve të PS në spitalin më të afërt për ndihmë mjekësore. Ndërkaq edhe karrotreci i tretë u përmbys. Situata vazhdon të mbetet e tensionuar. Trafiku i bllokuar dhe shumë qytetarë që shtyjnë karrotrecat që po mnbahen me forcë nga policia. Rreth orës 11:40 forca të shumta dhe makina policie vazhdojnë të mbajnë të bllokuar në bulevardin përballë kryeministrisë ku momentalisht është grumbulluar një turmë e madhe me njerëz. Qytetarët kanë mundur të futin kamionin me materiale për ndërtimin e skenës nga ku PS do të mbajë mitingun e saj përmbyllës në Tiranë. Përfaqësues të PS e G99 zhvendosën të gjithë karrotrecët nga Bulevardi Dëshmorët e Kombit dhe mundën ti hapin rrugë kamionit me materiale për ndërtimin e skenës nga ku liderët e së majtës do t’u kërkojnë për herë të fundit elektoratit në mbarë vendin, votën për zgjedhjet parlamentare. Rreth mesditës edhe furgonët e policisë u larguan nga Bulevardi. Gjithsesi rrëmuja dhe kaosi që u shkaktua këtë paradite vazhdojnë të mbajnë të bllokuar ende Bulevardin Deshmoret e Kombit.