Në një konferencë për shtyp, deputeti i PS-së, Eduart Shalsi deklaroi se kjo kontratë mban datën e Marsit të vitit 2008, disa muaj para se ish ministri i Ekonomisë, Genc Ruli të firmoste privatizimin e saj. Sipas zotit Shalsi kontrata e privatizimit nxjerr lakuriq emrat e qeveritarëve të përfshirë në këtë aferë korruptive. Kontrata, tha Shalsi, është firmosur mes Arian Tartarit dhe pronarëve të truallit. “Ishin pikërisht këta emrat që prishën kontratën që kishte shteti me Top Channel, duke diktuar edhe çmimin e shitjes së truallit, disa herë më të lirë se trojet përreth”, nënvizoi deputeti socialist. “Nuk ka fakt më domethënës se kjo për të shpjeguar kapjen e shtetit, nga qeveritarët e sotëm dhe njerëz shumë pranë kryeministrit, në kurriz të interesave të shqiptarëve, të cilët vetëm varfërohen”, vijoi zoti Shalsi. Shalsi, duke iu referuar deklaratave të ministrit Ruli, theksoi se “Ky nuk është një proces për të ndihmuar pronarët, por një aferë që ndihmon vetëm qeveritarët dhe interesat e tyre”. Sipas tij, kjo është parajsa në të cilën lundrojnë këta qeveritarë, ndërkohë që popullin e kanë zhytur në varfëri. “Andaj, tha deputeti Shalsi, shqiptarët duhet ta njohin të vërtetën e privatizimit të ish ekspozitës “Shqipëria Sot”, përmes këtij dokumenti privatizimi, të cilin socialistët e kanë tashmë në duart e tyre.”