Tiranë – PS, vrasja e policëve tregon braktisjen e detyrës nga Berisha

Armela Imeraj, zëdhënëse e PS, para pak minutash doli në një deklaratë për mediat, ku vlerësoi se “vrasja e katër shërbëtorëve të shtetit, ishte shprehja e braktisjes së detyrës nga pushteti i Berishës”. “Sot, kur plaga e hapur në trupin e shtetit, me vrasjen e 4 policëve në detyrë vazhdon të jetë e përvëluese, PS ringre me forcë çështjen e bashkëpunimit të këtij pushteti të korruptuar me krimin për të rimarrë me forcë në 28 qershor të drejtën për të sunduar, jo vetëm mbi vendin, por edhe mbi ligjin”, tha Imeraj. Sipas saj, jashtë çdo kriteri ligjor e përgjegjësie mendore pushteti i Sali Berishës ka lëshuar me leje të paligjshme nga burgjet për fushatë në favor të pushtetit një numër të konsiderueshëm vrasësish, trafikantësh e grabitësish, të cilët kanë shoqëruar ministra dhe kanë ushtruar terror psikologjik në zonat e influencës së tyre mafioze. PS lajmëron se “ne disponojmë të dhëna alarmante për fluksin e lartë të lejeve të paligjshme për kriminelë të dorës së parë në javët e fushatës dhe kemi të gjithë vullnetin që të kërkojmë me forcë nxjerrjen para ligjit të lejedhënësve”. Ndërkohë theksojmë publikisht, vijoi Imeraj, se vrasja e katër shërbëtorëve të pafajshëm të shtetit në detyrë nga një kriminel i shumëkërkuar që bridhte lirisht rrugëve, është shprehja më dramatike e braktisjes së detyrës nga pushteti i Sali Berishës i cili bën sikur drejton Shqipërinë po në fakt vetëm menaxhon interesa familjare e klanore, duke grabitur çdo ditë përmes vendimeve të qeverisë prona e fonde publike.

Advertisement