Deputeti socialist Erjon Brace deklaroi se dokumentet e tregojnë kompaninë “Moon Storm” dhe pronarin e saj, shtetasin serb Slobodan Tesiç, të përfshirë në furnizimin me armë të diktatorëve barbarë të Afrikës, të hershmëve dhe të rinjve, Gedafit etj. Sipas Braçes periudha të cilës i referohen dokumentet dhe informacionet është pikërisht kjo e lidhjes së kontratave për raketat në Shqipëri: vitet 2009, 2010, 2011. Por nën dritën e dokumenteve të reja, kjo periudhë rezulton si periudha e nënshkrimit në seri të kontratave të shitjes së armatimit të Ministrisë së Mbrojtjes me Moon Storm, kompaninë e shtetasit serb të listuar në të zezën e OKB-së Tesiç. Më tej deputeti socialist ka vijuar denoncimin e tij duke publikuar një set tjetër dokumentesh zyrtare që provojnë lidhjet e forta të Ministrisë së Mbrojtjes me shtetasit serbë, me të cilët janë nënshkruar 90% e kontratave të mëdha. Bëhet fjalë për një kontratë që ka si objekt shitjen në Jemen të 20. 000 predhave te mortajave 120mm dhe 4 milionë fishekëve. Periudha kohore është fundi i vitit 2009, fundi i 2010-tës dhe fillimi i 2011-tës, që përkon me periudhën e nisjes së konfliktit civil në Jemen. Sipas dokumenteve rezulton se ka pasur një vonesë 1-vjeçare në përmbushjen e kontratës. Në dhjetor 2010 MEICO ka insistuar në zbatimin e kontratës me “Moon Storm” dhe ka kërkuar për herë të dytë shtyrjen e afatit të Licencës së Eksportit me 3 muajt e parë të 2011-tës. Transaksioni është kryer duke përdorur Malin e Zi si vend tranzit dhe portin e Tivarit në Janar 2011 për transportin përfundimtar te armatimit. Në përfundim të fjalës së tij nënkryetari i grupit kuvendor të PS-së është shprehur se pas këtyre fakteve të rënda dhe njollës që ka marrë Shqipëria nga ky partneritet i turpshëm, politikisht ministri imami sot duhet të dorëhiqet, administrativisht drejtori i AKSHE dhe ish-drejtori i SHIU-t duhet të shkarkohen e të nxirren jashtë shërbimeve të Ministrisë së Mbrojtjes, ndërsa penalisht, të gjithë duhet të vihen nën hetim menjëherë.