Në një deklaratë për mediat, Bushati tha se farsa që vijon të shfaqet nga tavolina e Ristanit në KQZ dhe përdorimi politik i Kolegjit Zgjedhor, përbëjnë vetëm disa prej fakteve se përse zgjedhjet nuk përmbushen standardet e njohura ndërkombëtarisht për zgjedhje demokratike. “Është koha që të dëgjohet apeli i partnerëve ndërkombëtarë e të ndalet farsa me mandatin e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, pasi përmbushja e standardeve zgjedhore është një prej përparësive kyçe të identifikuara në opinionin e Komisionit Europian në lidhje me aplikimin për anëtarësim të Shqipërisë në Bashkimin Europian. E në të njëjtën kohë, parakusht për funksionimin normal të një shoqërie demokratike”, ka deklaruar deputeti socialist. “Ne theksojmë se, nuk është koha për arnimet e radhës që si zakonisht Saliu i propozon për të larguar vëmendjen e për t’i bishtnuar përgjegjësive të rënda për qorrsokakun ku e ka zhytur vendin, ka nënvizuar Bushati. Ne besojmë se Shqipëria ka nevojë për një projekt real reformash e veprimesh konkrete në zbatim të 12 përparësive kyce të opinionit të Komisionit Europian, që prej një viti mbeten të paadresuara për fajin e një qeverie që nuk është e interesuar për integrimin në Bashkimin Europian”. Deputeti Bushati, ndër të tjera tha se për të dialoguar me opozitën, kryeministri duhet të heqë dorë nga vjedhja e mandatit në Tiranë e të respektojë shtetin e së drejtës dhe institucionet ndërkombëtare.


