Tiranë – PS: Ruli ka shkelur kompetencat e ministrisë së financave

Në një konferencë për shtyp deputeti i PS-së Saimir Tahiri theksoi se ministri Ruli mbajti konferencën e radhës për të justifikuar një tjetër aferë korruptive që iu shtua së fundmi CV së tij të pasur me afera e skandale. “Genc Ruli shau dhe akuzoi këdo që ka guxuar të denoncojë aferën e tij të fundit me një kompani private, por nuk dëgjuam prej tij asnjë argument bindës se përse ai nuk duhet të përfundojë në Prokurori si i pandehur për këtë skandal prej miliona eurosh” theksoi Tahiri. Sipas tij Ruli në mënyrë të kundraligjshme dhe duke injoruar krejtësisht Kuvendin ka ndryshuar kushtet e kontratës koncesionare duke e shtyrë kështu detyrimin e kësaj kompanie për të investuar miliona euro, veçanërisht për përmirësimin e kushteve të punës dhe të sigurisë në minierë. “Por Genc Ruli nuk është mjaftuar me kaq, por me një gjest bujarie korruptive të pashembullt ai vendosi t`i falë kësaj kompanie edhe borxhin prej 1.6 milion eurosh duke e lidhur atë me rimbursimin e TVSH. Sërish me kokë të vetë e duke shkelur kompetencat e ministrisë së financave” theksoi Tahiri duke shtuar se këto akte bujarie Genc Ruli i justifikoi sot me gjoja faktin se kompania ishte në gjendje të vështirë.

Advertisement