Mbledhja e dytë e Kryesisë së Partisë Socialiste kishte të bënte me vendimin e djeshëm të Gjykatës së Lartë të Shqipërisë, të cilin e konsideron si dëshminë më alarmante të rënies së rendit ligjor dhe shtetit të së drejtës, faktin më tronditës të thërrmimit të parimit kushtetues “Të gjithë janë të barabartë përpara ligjit” si dhe provën e përsëritur dhe më të padiskutushme, të kapjes përfundimtare të Gjykatës së Lartë e të vendosjes së pushtetit gjyqësor nën kontrollin e pushtetit politik të Sali Berishës. “Konsolidim të “kulturës së pandëshkueshmërisë”, pas tre vendimeve të njëpasnjëshme të së njëjtës Gjykatë për tre raste flagrante të korrupsionit në nivelin më të lartë qeveritar; Konfirmim të lidhjes së shkurtër mes aktivitetit kriminal të politikës në pushtet dhe drejtësisë si garante e kësaj të fundit; Nëpërkëmbje të parimit kushtetues të “drejtësisë shoqërore” si baza e shtetit dhe zëvendësimin e këtij parimi me “padrejtësinë shoqërore” si vazhdë në procesin qeverisës; Shembullin më të keq të bashkëfajësisë së pushtetit gjyqësor, në mes të një vale të re të korrupsionit me prapavijë qeveritare, me pasoja të rënda për ekonominë kombëtare dhe atë familjare të qytetarëve shqiptarë; Shtysë të drejtpërdrejtë negative në profilizimin e përvitshëm të Shqipërisë si një regjim hibrid dhe i korruptuar, larg vlerave e parimeve të familjes evropiane”, thuhet në qëndrimin e Kryesisë socialiste ndaj vendimit të djeshëm për Ilir Metën. Partia Socialiste e Shqipërisë e konsideron gjithashtu me shqetësim të thellë këtë vendim si një refuzim i drejtpërdrejtë i tre prioriteteve kyçe të vendosura nga Bashkimi Europian për Shqipërinë, për një drejtësi e pavarur e profesionale, luftë kundër korrupsionit në nivelet e larta dhe luftë kundër krimit të organizuar. Sipas kryesisë së PS, përpjekjes për përmbushjen e këtyre prioriteteve në kuadrin e 12 prioriteteve që duhet të përmbushë Shqipëria për t’u bërë kandidate për Bashkimin Europian, Gjykata e Lartë i ka dhënë dje një goditje jashtëzakonisht të rëndë . Sot theksojnë anëtarët e Kryesisë socialiste, kandidatura e Shqipërisë për statusin e kandidatit është e dobësuar në mënyrë të konsiderueshme dhe vendin tonë e kërcënon për shkak të vendimit të djeshëm të Gjykatës së Lartë, një dështim i tretë radhazi i aplikimit për këtë status në 100 vjetorin e pavarësisë e të shtetit shqiptar. Partia Socialiste nënvizon me forcë domosdoshmërinë e rivendosjes së demokracisë në vend dhe u bën apel të gjitha forcave demokratike të shoqërisë të vihen aktivisht në shërbim të këtij misioni kombëtar. Në këtë linjë anëtarët e Kryesisë së PS theksojnë vendosmërinë e tyre për të vënë në jetë programin e ri “Për një Rilindje Shqiptare”.


