Tiranë | PS reagon për shpërthimet në Patos-Marinzë

Në fjalën e tij deputeti socialist Subashi tha se është e pafalshme që shteti hesht kur banorëve po iu shemben shtëpitë. E pafalshme që Ministria e Ekonomisë vetëm pak muaj më parë premtoi zgjidhje, por tani hesht kur shpërthimet bëhen edhe më të fuqishme. “Pardje në zonën naftë mbajtëse Patos- Marinzë ka ndodhur një tjetër shpërthim i fuqishëm, i cili tmerroi banorët e zonës. Pritëm dje, të kishte një reagim nga institucionet përkatëse, nga Ministria e Ekonomisë, nga Ministria e Brendshme, nga deputetët e mazhorancës në qarkun e Fierit apo edhe nga kryeministri, por askush nuk u kujtua t’u jepte një përgjigje shqetësimeve të banorëve kësaj zone. Tërmet 3.2 ballë tha qeveria, a thua se banorët e kësaj zone janë kaq të paditur sa do e besojnë gënjeshtrën e radhës. Por qeveria harron se ata, kanë kohë që janë të tmerruar, që ankohen dhe protestojnë për këtë problem jetësor, por shteti hesht, qeveria hesht duke u zhytur përditë e më shumë në llumin e korrupsionit me këtë pasuri të madhe të shqiptarëve.” Kjo indiferencë e shtetit dhe abuzimi i forcave të policisë ndaj banorëve, që janë në të drejtën e tyre, është konsideruar nga deputeti i PS, që është zgjedhur në qarkun e Fierit, si e patolerueshme. “Dy muaj më parë, përfaqësues të Ministrisë së Ekonomisë u premtuan banorëve të zonës së shumë shpejt do e zgjidhnin këtë problem, por, ja ku jemi sot, dy ditë pas një shpërthimi edhe më të madh, e kjo përgjigje jo vetëm që nuk ka ardhur, por përkundrazi banorët e zonës janë bërë pre e terrorit policor. Është urgjente që prokuroria dhe institucionet e tjera të hetojnë rreth këtyre shpërthimeve të cilat kanë sjellë jo vetëm panik e dëme të konsiderueshme materiale te banorët, por nga ana tjetër po bëjnë të papërdorshme këto vendburime për të ardhmen.” Partia Socialiste tha Subashi do vlerësojë në maksimum mundin e djersën mijërave naftëtarëve e specialistëve të sektorit, duke i dhënë nderin dhe statusin që i takon.