Tiranë – PS reagon për pasuritë e qeveritarëve

“Këto ditë në sytë e qytetarëve shqiptarë u shfaqën pasuritë e supershtuara të qeveritarëve të dështuar. Sali Berisha dhe shpura e tij kanë shtuar pasuritë e tyre marramendëse, ndërsa lëvizjet financiare nga llogaritë e majmura të familjarëve dhe të oborrit të tij e kalojnë disa fish buxhetin e ndihmës ekonomike për të gjitha familjet shqiptare të marra së bashku” deklaroi Balla. “Është e turpshme se si Sali Berisha vazhdon të shtiret si një varfanjak, vazhdon të shtiret që jeton në një apartament të vjetër të periudhës komuniste e që gjoja mbahet vetëm me pagën e tij dhe të bashkëshortes, ndërkohë që të gjithë qytetarët e Tiranës e dinë mirë ku banon kryeministri, në një apartament luksoz, në një pallat luksoz. Me kë tallet Sali Berisha? Me kë tallet ky njeri që nuk ka më mandat për të qeverisur shqiptarët?” shtoi me tej deputeti i PS-së, Taulant Balla. Sipas Ballës, ajo që i karakterizon të gjithë këta hajdutë, është fakti që superpasuritë janë të regjistruara në emër të fëmijëve dhe bashkëshorteve. “Kështu kryeministri ka për bir ndërmjetësuesin, apo siç thuhet në gjuhën e përditshme, sekserin më të pasur në Shqipëri. Ky ka deklaruar se shumat e mëdha që ka në llogaritë e tij i ka fituar falë ndërmjetësimeve. Në vitin 2008, duke punuar si sekser, ai thotë se ka fituar 82.882 euro. Bashkëshortja e zëvendës Kryeministrit është e vetmja grua që merr gjashtë rroga duke ndenjur në shtëpi. Kjo bandë që mundohet të mbajë pushtetin, me para dhe vota të vjedhura, nuk e mori mandatin për të riqeverisur. PS së bashku me të gjithë qytetarët e ndershëm të këtij vendi do ia shkurtojnë me çdo mjet demokratik ditët këtij pushteti ilegjitim, që pasurohet në kurriz të varfërisë së shqiptarëve” përfundoi Balla.

Advertisement