Prej kohësh, opozita akuzon qeverinë dhe ministrin Basha si të përfshirë në afera korruptive në tenderat e zhvilluara në ndërtimin e segmentit rrugor në fjalë. “Cdo shqetësim i jonë ka qënë për mundësitë korruptive të mëdha që ajo pati për shkak të mungesës së garës dhe për shkak të kostove të larta. Ju garantoj se nuk ka asnjë vend jo vetëm në rajon por edhe në europë që të përdorë 10% të GDP-së për të investuar në 100 km rrugë. Përsa i përket cështjes gjyqësore, ne respektojmë pavarësinë e gjyqësorit ndërsa mendojmë se procesi nuk ka mbaruar por duhet thelluar” – u shpreh Malaj. Kolegji penal i kryesuar nga Spiro Spiro, u shpreh dje se marrja e ministrit të Jashtëm, Basha në cilësinë e të pandehurit dhe njoftimi i akuzës është bërë jashtë afateve ligjore. Gjykata i konsideroi të pavlefshme të gjitha veprimet e prokurorisë pas datës 6 nëntor 2006, ku shënohej fundi i afateve të hetimit për dosjen e shumë diskutuar. Për rrjedhojë, edhe akti i dërgimit për gjykimin e dosjes shpallet absolutisht i pavlefshëm, duke u mbyllur në këtë mënyrë dosja për rrugën Durrës-Kukës-Morinë, ku vlera e dëmit që i është shkaktuar shtetit për shkak të keq menaxhimit të fondeve të segmentit Rrëshen-Kalimash, pjesë e Durrës-Kukës, është përllogaritur 232 milionë euro. Zyrtarisht, organi qëndror i akuzës i kryesuar nga Ina Rama, nuk ka bërë asnjë reagim për çështjen. Nga ana e tij Ministri i Jashtëm e cilësoi si “fundi i turpshëm i këtij komploti kundër rrugës Durrës- Kukës”.