Tiranë – PS reagon për arrestimin e sekretarit të ambasadës shqiptare në Maqedoni

Përmes një deklarate për mediat, Erjon Brace ka theksur se ky rast nuk përbën herën e parë që Ministria e Jashtme përfshihet nga skandale të tilla. “Në harkun e 6 muajve, kjo ministri është përfshirë në një xhiro trafikimi droge me vlerë 1 milinonë euro” u shpreh Brace. Ndërkohë, Partia Socialiste akuzon Ministrinë e Jashtme se po kthen selitë e saj nëpër botë në depozita droge, ndërsa diplomatët në trafikantë të saj. “Selitë diplomatike në varësi të Ministrisë së Punëve të Jashtme, kudo që ato ndodhen, po kthehen turpësisht në depozita droge, ndërkohë që makinat e Republikës së Shqipërisë nën targat e trupit diplomatik, po kthehen në taksi droge, ndërsa zyrtarët e MPJ që kanë për detyrë të përfaqësojnë Shqipërinë kudo në botë, po kthehen në trafikant droge” theksoi Brace përpara gazetarëve. Ndërkohë, edhe deputeti tjetër socialist, Taulant Balla, theksoi se përfshirja në trafik ndërkombëtar droge e Haxhisë është një akt i turpshëm që implikon drejpërdrejt ministrin Lulzim Basha. “Është e turpshme, përfshirje e drejtpërdrejtë në përgjegjësi administrative dhe penale i ministrit të Jashtëm Lulzim Basha, personi përgjegjës që ka sponsorizuar dhe ngritur këtë rrjet kriminal me imunitet diplomatik” tha Balla. Deputeti socialist i ka bërë thirrje prokurorisë të fillojë menjëherë hetimet mbi ekzistencën e një rrjeti kriminal, transporti lëndësh narkotike brënda sistemit diplomatik. “Nëse Lulzim Basha pretendon se nuk ka lidhje me këtë rrjet kriminal të pranojë të vihet vullnetarisht në dispozicion të hetimeve për këtë rrjet kriminal dhe të heqë dorë nga fshehja e provave shkresore për emërimin e korrierit të drogës, sigurisht minimalja që mund të bëjë është të japë dorëheqjen” u shpreh Balla. Sekretar i ambasadës shqiptare në Shkup, Agim Haxhiu u kap në Turqi me 65 kg heroinë në datën dy maj. Ministria e Jashtme konfirmoi ditën e djeshme arrestimin e Haxhiut duke theksuar se vetëm dje, në orën 17:43, policia e Stambollit përcolli me faks njoftimin për ndalimin e tij. Disa muaj më parë, shoferi i ambasadës shqiptare në Romë, Arsen Selmanllari u arrestua pasi iu gjet 1 kg kokainë në automjetin me targa diplomatike.

Advertisement