Tiranë – PS, qeveria të luftojë krimin e organizuar dhe korrupsionin

Opozita i referohet raportit të fundit vjetor të Europolit lidhur me krimin e organizuar ku figuron edhe Shqipëria. “Shqetësuese në këtë raport është rritja e gamës dhe fuqisë së krimit të organizuar shqiptar. Katër janë elementët e rinj në veprimtaritë e grupeve kriminale shqiptare përkatësisht Përfshirja në rrjetin e shpërndarjes së kokainës, kthimi i Shqipërisë “si bazë për grumbullimin dhe shpërndarjen e heroinës në BE”, rritja e veprimtarisë trafikuese të grupeve kriminale shqiptare sidomos në trafikimin e personave për punë të detyruar, kryesisht në sektorët e ndërtimit, prodhimit të drogave dhe lypjen, risi është shtimi i trafikimit të fëmijëve për qëllime shfrytëzimin seksual e skllavërie ndaj tyre” tha Gjoni. Deputeti socialist tha se opozita denoncon paaftësinë e qeverisë, por ajo çka është më e pafalshmja, mungesën e vullnetit për të ndërtuar strategji dhe zhvilluar një luftë pa kompromis ndaj këtij rreziku që kanos demokracinë dhe institucionet demokratike në Shqipëri dhe e konsideron atë si një pengesë serioze drejt realizimit të aspiratave të popullit shqiptar për t’ju bashkuar familjes Evropiane. “Opozita shqiptare dhe Partia Socialiste i thotë Sali Berishës dhe qeverisë së tij, se ajo gjithmonë ka qenë dhe do të mbetet në mbështetje të aspiratës së Shqiptarëve për tu bërë pjesë e familjes evropiane. Por ne i themi Sali Berishës lufto krimin e organizuar, lufto korrupsionin, lufto kriminelët që nxore për të vjedhur votat, hiq dorë nga strategjia INVISO (nga presioni dhe dhuna), hiq dorë nga strategjia INLE (nga ndërhyrjet në institucionet ligjzbatuese dhe gjykatat) dhe hiq dorë nga strategjia INSO (nga influencimi për interesa vetjake i ekonomisë dhe shoqërisë) dhe atëherë shqiptarët do të integrohen e udhëtojnë lirshëm në BE” deklaroi më tej Gjoni.

Advertisement