Tiranë | PS: qeveria, 1.6 milionë euro pajisje kundër qytetarëve

Ky fakt është denoncuar nga nënkryetari i Grupit parlamentar të PS, Erjon Braçe, i cili gjatë një konference për shtyp ka bërë publike aferat korruptive me të cilat është shoqëruar procesi i armatosjes së policisë për të përballuar protestat popullore. “21 Janari ndryshoi jo vetëm marrëdhënien e Sali Berishës me Opozitën, marrëdhënien e Sali Berishës me shumicën e popullin që e kundërshton politikën, qeverisjen e korruptuar të tij. 21 janari ndryshoi dhe mënyrën e përdorimit të parave publike, fondeve buxhetore të krijuara nga taksat që paguajnë shqiptarët, duke i orientuar ato nga blerja e materialeve ushtarake, pajisjeve dhe armëve luftarake për ‘kontrollin e turmave’”, është shprehur Braçe. Sipas deputetit socialist 1.6 milionë euro janë shpenzuar nga qeveria për të blerë në mënyrë aspak transparente pajisje të kushtueshme që nisin nga kostumet anti-turma, ku përfshihen helmetat, mburojat dhe shkopinjtë e gomës, e deri te megafonët dhe maskat e gazi. Por përveç vlerës së lartë dhe dukshëm abuzive me të cilën janë blerë këto pajisje, ajo që bie në sy është procedura shumë jotransparente. Kështu kompania me të cilën është lidhur kontrata e ka selinë në Belize, mostrat që shoqërojnë kontratën janë të një kompanie në Izrael, malli që ka mbërritur në Tiranë ka si origjinë të shkruar në lejen e importit Kinën, ndërsa paratë janë derdhur duke patur si përfituese degën në Marganashvilli JSC TBC Bank në Tbilisi Gjeorgji. Nënkryetari i Grupit parlamentar të PS, Erjon Braçe ka deklaruar se kjo është vetëm pjesa e parë e denoncimit të kësaj afere korruptive dhe se në ditët në vazhdim do të publikohen të tjera fakte dhe dokumente që dëshmojnë për abuzimin e ministrave të Sali Berishës.