Tiranë | PS: nuk mund të kemi zgjedhje të ndershme me këtë KQZ dhe këtë Kolegj

selia-roze3

Në një konferencë për shtyp deputeti i Partisë Socialiste Saimir Tahiri deklaroi se raporti i vlerëson zgjedhjet si të parregullta dhe të manipuluara, ndërsa ka nxjerrë fitues në Tiranë liderin e opozitës Edi Rama. “Pra raporti i OSBE/ODIHR-it thotë se kryetari i bashkisë së Tiranës është jo legjitim. Ne nuk presim që ai të japë dorëheqjen. Ashtu sikundër nuk presim që edhe kryeministri Berisha të japë dorëheqjen për presionet e tij në këtë proces”, theksoi deputeti i opozitës. Sipas tij raporti i vëzhguesve ndërkombëtarë nuk i klasifikon zgjedhjet as si të lira as si të ndershme. “Të gjitha shqetësimet e ngritura nga PS janë pasqyruar në raport si të vërteta”, tha Tahiri. Sipas tij raporti i OSBE/ODIHR-it konstaton se listat kishin manipulime, e se qeveria ushtroi presion ndaj administratës. Deputeti socialist duke lexuar raportin tha se ai konstaton probleme në 10% të Qendrave të Votimit, duke theksuar se në zgjedhjet e 8 Majit u vërejt fenomeni i mbushjes së kutive, që solli edhe ndryshimin e rezultatit në Tiranë. Tahiri përmendi këtu edhe pikat ku raporti i OSBE/ODIHR-it i adreson kritika Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe Kolegjit Zgjedhor për vendimet e dhëna në Tiranë. “KQZ funksionoi si institucion partiak në shërbim të koalicionit qeverisës”, tha Tahiri, ndërkohë që numërimi i votave të hedhura në kutitë e gabuara ishte i paparashikuar në Kodin Zgjedhor. Sipas tij procedura e numërimit si të vlefshme të votave të hedhura në kutitë e gabuara cënoi legjitimitetin e KQZ-së. “Vetë vendimet e Kolegjit Zgjedhor konsiderohen si kontradiktore. Vendimet ishin të ndryshme për situata të njëjta”, nënvizoi Tahiri. Duke iu referuar konferencës së mbrëmshme për shtyp të kryeministrit Berisha, deputeti Tahiri bëri me dije se medalja që i vari vetes në qafë kryeministri për zgjedhjet është një medalje e vyshkur. Deputeti socialist deklaroi se zgjedhjet e 8 Majit shënuan një pikë të errët në historinë e zgjedhjeve në Shqipëri, duke akuzuar për këtë kryeministrin Berisha, që me presionin e tij për manipulimin e zgjedhjeve në Tiranë arriti ta klasifikojë vendin mes atyre me zgjedhje jo të lira e të ndershme. “PS e vlerëson raportin si tërësisht objektiv. Raporti i djeshëm nuk lë asnjë shteg për të mbuluar gropat e zeza të manipulimit të zgjedhjeve”, argumentoi deputeti i PS-së. Ai theksoi se nuk mund të ketë zgjedhje të ndershme në vend me këtë organizëm të KQZ-së dhe këtë Kolegj Zgjedhor. Në fund të reagimit për raportin final të OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet e 8 majit, deputeti Saimir Tahiri shprehu mirënjohjen ndaj vëzhguesve ndërkombëtarë duke theksuar se opozita është e gatshme të bashkëpunojë për kryerjen e një reforme elektorale. “Duhet ndryshuar përmbajtja e Kodit Zgjedhor për të përmbushur zgjedhje të standardeve ndërkombëtare”, tha deputeti i opozitës.

Advertisement