Deputeti Erjon Brace, ka shpjeguar në një dalje para mediave arsyet që ky ligj nuk duhet të hyjë në fuqi, pasi takson për herë të dytë biznesin e vogël dhe nga ana tjetër favorizon pastrimin e parave të pista në Shqipëri. “”Në Kuvend, do të miratohet të enjten një ligj që bën ndryshime në ligjin “Për Tatimin Mbi Të Ardhurat”, Nën gjykimin tonë, ligji është i pa qartë, evaziv, abuziv, i qëllimtë, për të krijuar mundësinë e taksimit të shumëfishtë të biznesit të vogël kudo si dhe të pastrimit të parave të korrupsionit dhe krimit të lidhur apo klient me Qeverinë e Sali Berishës. Thjesht, për ta taksuar 3 dhe 4 herë deri në qindarkën e fundit apo pastruar çdo qindarkë të vjedhur e grabitur, përvetësuar politikisht, deri tani. Paqartësia e qëllimtë e ligjit, lë mundësi për taksimin për herë të dytë, me 10% të tjera, të biznesit të vogël! Kjo, për ne është e pa pranueshme! I njëjti ligj, për herë të parë në 20 vite, vendos të taksojë paratë e emigrantëve ose paratë e sakrificës. Sipas këtij ligji, me miratimin e tij, “E ardhur e tatueshme” do të jetë: “të ardhurat monetare për shtimin e kapitalit me burime nga jashtë shoqërisë, që nuk janë të tatuara më parë dhe që nuk janë të shoqëruara me dokumente zyrtare, që vërtetojnë origjinën e këtyre të ardhurave”. Kategoritë e parave nën këtë përcaktim janë: paratë e emigrantëve, paratë e evazionit fiskal, paratë e korrupsionit, paratë e krimit dhe veçanërisht atij që ushtrohet jashtë Shqipërisë, paratë që financojnë terrorizmin” deklaroi Braçe. Sipas tij, qeveria e Sali Berishës, me këtë ligj, krijon mundësinë e taksimit me 10% të parave të emigrantëve shqiptarë, në rastin më të mirë, ose pengimin e çdo emigranti të investojë, për shkak të kësaj takse, paratë e sakrificës këtu, në biznese të ngritura e të konsoliduara, ndodhur në vështirësi reale për para, tani në rastin më të keq. Qeveria e Sali Berishës, po me këtë ligj, heq dorë nga lufta ndaj parave të pista, korrupsionit e trafiqeve, duke hapur një mundësi reale për to, për t’i legalizuar, larë e pastruar, përkundrejt taksës 10 % paguar Qeverisë” deklaroi më tej deputeti socialist.