Tiranë | PS kërkon zgjidhje për çështjen e banesave të ish-pronarëve

Në mbledhjen e grupit kuvendor të socialistëve, kanë marrë pjesë edhe kryebashkiakët e Durrësit dhe Korçës, të cilët u kanë kërkuar deputetëve që të mos e votojnë aktin normativ të qeverisë, pasi ai nuk i jep zgjidhje problemit, por përkundrazi thellon një plagë sociale duke hedhur në rrugë mijëra familje, që nuk kanë mundësi të sigurojnë strehimin e tyre. “Akti normativ për të gjithë ata banorë të cilët jetojnë në shtëpitë e ish pronarëve, na ka detyruar që të vijmë sot këtu dhe t’ju kërkojmë juve që të mbani një qëndrim të fortë, të ashpër, por njëkohësisht edhe të mos ta votoni këtë akt normativ që kërkon qeveria ta miratojë në parlament. E kërkojmë këtë jo thjesht për kredo politike, por e kërkojmë këtë si një detyrim ndaj atyre qytetarëve që na kanë votuar e na kanë zgjedhur, sepse kanë një të drejtë me vete, kanë vendimin e Gjykatës Kushtetuese. 2 vendime të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2005 dhe 2007, që e rrëzojnë këtë akt normativ. T’i paraqesësh parlamentit një akt normativ të tillë që gjykata e ka rrëzuar kjo përbën një shkelje të rëndë”, është shprehur kryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako. Sipas tij pjesa më e madhe e familjeve që do të dalin në rrugë të madhe nga ky vendim i qeverisë, nuk kanë mundësi për të përballuar shpenzimet e ditës dhe jo më të marrin shtëpi me qera apo të paguajnë kredi. Nga ana e tij kryebashkiaku i Korçës, Niko Peleshi e ka vënë theksin te problemet e strehimit që kanë njësitë vendore, probleme të cilat akti normativ i qeverisë do të thellojë edhe më shumë. “Ne jemi duke përgatitur tani shpërndarjen e 96 apartamenteve për të pastrehët për të cilat ka 2500 aplikime. E thashë këtë shifër për të treguar se sa e thellë është kjo plagë. A ka mekanizma? Padyshim që ka! Por për mendimin tim ka munguar deri tani vullneti dhe dëshira. Si shumë punë të tjera në Shqipëri nga kjo qeveri edhe çështja kaq delikate e strehimit të të pastrehëve, veçanërisht e atyre që banojnë në shtëpitë e ish pronarëve synohet të zgjidhet me fushata”, është shprehur Peleshi. Qëndrimi i kryebashkiakëve Dako e Peleshi është mbështetur edhe nga kryesocialisti Rama, i cili është shprehur: “E mbështes plotësisht shqetësimin e kryetarëve të bashkive që sot jetojnë me këtë zhvillim dramatik për një grup shoqëror, që ne në asnjë mënyrë nuk mund ta shohim me përbuzjen që e sheh qeveria dhe duke garantuar po ashtu të gjithë pronarët se PS është e qartë dhe e prerë në vizionin dhe në programin e saj për njohjen dhe vënien në vend të së drejtave të tyre të mohuara për 20 vjet. Është një çështje e mijëra e mijëra njerëzve dhe për ne vlen më shumë se çdo temë tjetër që ne sot mund të diskutojmë”.