Në letër theksohet se listat duhet ti dorëzohen Partisë Socialiste deri në datën 30 maj. “Ju kërkojmë që brenda datës 30 maj të na vini në dispozicion: Listën e votuesve me pasaportë, listën e votuesve pa pasaportë që kanë aplikuar dhe listën e votuesve pa pasaportë që kanë marrë në dorë letërnjoftimin” shkruhet në letrën e PS. Partia Socialiste deklaron se kërkesa e saj niset nga shqetësimi për pamundësinë e pajisjes me karta, të një numri të konsiderueshëm votuesish, që do të pengojë pjesëmarrjen e tyre në zgjedhjet e 28 qershorit. Ndërkohë në letër theksohet se PS është e gatshme të angazhohet maksimalisht për mbarëvajtjen e këtij procesi. “Me shpresën për një përgjigje positive dhe të angazhuar për të shfrytëzuar të gjitha mundësitë që garantojnë zgjedhje të lira e të ndershme, në përputhje me standartet demokratike, ju shprehim gadishmërinë maksimale dhe pjesëmarrjen konstruktive të PS në këtë proces shumë të rëndësishëm për të ardhmen europiane të vendit” mbyllet letra e PS drejtuar ministrit Nishani.