Pohimin e bëri Sekretari për Çështjet Zgjedhore në PS, Kastriot Islami. Ai tha se vendimi erdhi “pasi nuk morëm përgjigje për kërkesat tona legjitime për transparencë dhe informim lidhur me të gjitha paqartësitë e procesit të paisjes me letërnjoftim zgjedhor, si dhe bazuar në analizën paraprake të të dhënave zyrtare të ofruara nga Ministria e Brendshme”. Islami vlerësoi se “mjaftojnë kundërshtitë dhe faktet e nxjerra nga analiza e vetë informacionit që kemi marrë nga Ministria e Brendshme për të ngritur hipotezën e akuzën e shpërdorimit të detyrës dhe falsifikimit të të dhënave zyrtare përmes dhënies së informacionit të rremë për qëllime që bien ndesh me ligjin”. Islami shtoi se shifra zyrtare prej 730 mijë votuesish pa pasaportë mbi të cilën Ministria e Brëndshme ka këmbëngulur, rezulton e pavërtetë dhe e zvogëluar ndjeshëm. Kurse pretendoi se numri i personave që kanë aplikuar rezulton kontradiktor dhe ndryshon nga njëri disk në tjetrin duke nxjerrë për votuesit pa pasaportë një shifër të zmadhuar në kundërshti me të dhënat e përgjithshme dhe shifrat e dhëna në dinamikë. “Në këto kushte, vijoi Islami, PS po përpilon kallëzimin penal për drejtuesit e lartë të Ministrisë së Brëndshme që merren direkt me këtë proces. Islami theksoi se të gjitha këto konkluzione paraprake janë rezultat i një ekspertize të nivelit më të lartë teknik dhe do të thellohen në orët në vazhdim nga grupi i ekspertëve.