Sekretari për çështjet ligjore dhe koordinimin në PS, Fatmir Xhafaj, përmes një letre drejtuar KQZ kërkon ndalimin e kësaj procedure për sa kohë opozita konteston rezultatin dhe kërkon hapjen e kutive të cilat mendohet se përbëjnë shkelje të rëndë të të drejtës së votës. “Përmes kësaj letre i kërkojmë KQZ të mos veprojë për asgjësimin e fletëve të votimit që gjenden në kutitë e votimit të përdorura në këto zgjedhje, pasi çdo përpjekje e nxituar në këtë drejtim, do të përbënte një veprim të motivuar politikisht dhe me pasoja serioze për vendin”, thuhet në letrën e Xhafaj drejtuar Ristanit. Nga ana tjetër, PS i kërkon KQZ t’u mundësojë akses përfaqësuesve të saj të vëzhgojnë nga afër dhe në mënyrë periodike ambientet ku ruhen kutitë e votimit, me qëllim rritjen e transparencës dhe sigurisë në lidhje me paprekshmërinë e tyre. PS thekson se të gjitha këto procedura do të shërbenin për ecurinë e hetimit që është kërkuar nga opozita për zgjedhjet e 28 qershorit. Për letrën dërguar KQZ, janë vënë në dijeni dhe organizmat ndërkombëtarë që ndodhen të akredituara në Shqipëri, Prezenca e OSBE, delegacioni i KE-së dhe ambasada e SHBA-së.


