Zëdhënësi i KQZ-së Leonard Olli konfirmoi se lista është depozituar në orën 7.50 minuta. Nuk dihet ende qëndrimi që do të mbajë Komisioni Qëndror Zgjedhor në lidhje me shkeljen e afateve kohore të dorëzimit të listës së kandidatëve nga Partia Socialiste. Zëdhënësi i KQZ, Leonard Olli deklaroi se listat e kandidatëve janë në drejtorinë juridike ku po kontrollohet dokumentacioni Burime brenda KQZ-së bëjnë të ditur se KQZ do të dalë me një qëndrim gjatë mbledhjes që është parashikuar të zhvillohet në orën 10.00. Në rend dite të kësaj mbledhjeje është shqyrtimi i projekt – vendimit: “Për mbledhjen, administrimin dhe publikimin e informacionit për procesin e numërimit të votave për zgjedhjet për Kuvendin 2009” , Shqyrtimi i projekt – vendimit: “Për kohën e transmetimit për partitë politike në TV Publik”. Genc Gjoncaj përfaqësuesi socialist në KQZ i cili dorëzoi dhe listën e 140 kandidatëve tha se vonesa ishte për “shkaqe teknike”. Konkretisht sipas tij vonesat kishin të bënin me plotësimin e dokumentacionit të dosjes së secilit prej kandidatëve për deputetë. Lista zyrtare me 140 kandidatë të PS-së pritet të bëhet publike nga vetë kreu i PS-së Edi Rama në një konferencë shtypi që do të organizohet sot në mesditë. Mësohet se lista zyrtare e PS-së nuk do të ketë Fatos Nanon në asnjë listë qarku, por as kryetarin aktual, Edi Rama, i cili nuk ka preferuar kështu të rrezikojë mandatin e kreut të Bashkisë së Tiranës për një post në Parlamentin e ri. Partia Demokratike i depozitoi mbrëmë, pak minuta para se të skandonte afati listën me 140 kandidatët për deputetë. Vetë kryeministri Berisha në një konferencë për shtyp bëri publik emrat e kandidatëve demokratë për zgjedhjet e 28 qershorit.

Advertisement