Tiranë | PS dorëzon draftin për pr/ligjet me 3/5

selia-roze3

Drafti i plotë i Partisë Socialiste: Në Kuvend janë të depozituara për miratim një sërë projektligjesh për të cilat kërkohet votimi me shumicë të cilësuar. Është përgatitur edhe një kalendar pune për komisionin e ligjeve ku përfshihen projektligjet për votim me 3/5. Ndër të tjera ka pasur dhe ka aktualisht një debat politik e parlamentar rreth mënyrës se si do të trajtohet procesi për miratimin e këtyre projektligjeve në komisionin e ligjeve si komisioni përgjegjës për shqyrtimin e tyre. Me synimin për ti dhënë një rrugë pozitive këtij procesi dhe në respektim të Rregullores së Kuvendit, (nenet 18, 24, 29, 33, 35, 36 të saj) në emër edhe të deputetëve socialist të Komisionit për Cështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut ju parashtroj propozimin tonë të mëposhtëm. Grupi parlamentar socialist ka shprehur vullnetin për të qenë pjesë aktive e debatit dhe miratimit të këtyre projektligjeve. Grupi parlamentar socialist ka rikonfirmuar qëndrimin e tij se plotësimi i kushteve të BE-së për integrimin europian të vendit përbën angazhim prioritar dhe një kërkesë thelbësore të këtij procesi që i shërben mirëqeverisjes së vendit, forcimit të demokracisë funksionale dhe shtetit të së drejtës. Me qëllim adresimin e menjëhershëm të këtyre 12 rekomandimeve dhe me vullnetin e mirë për t’i dhënë zgjidhje krizës politike e institucionale në vend, Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste, propozoj “Paktin për Shqipërinë si gjithë Europa”. Ne kemi ofruar këtë projekt për të ndërtuar së bashku me maxhorancën parlamentare një proces kushtetues, parlamentar e institucional, një projekt për të ardhmen, për Shqipërinë dhe shqiptarët, që i shërben drejtpërsëdrejti projektit të madh të integrimit. Në pikën 7 të tij propozohet : “Shqyrtimi nga Komisioni për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut, brenda këtij sesioni të legjislaturës, të çdo çështje që lidhet me ligjet që kërkojnë 3/5-at e votave të Kuvendit, qoftë ato që janë adresuar aktualisht e qoftë ato që opozita do të kërkojë të adresohen për rrugën europiane të Shqipërisë. Ky shqyrtim – pjesë e një procesi të domosdoshëm, të qëndrueshëm e afatgjatë të reformimit të sistemit të drejtësisë – duhet të kryhet në bashkëpunim me një grup ad-hoc konstitucionalistësh si edhe me grupe ekspertësh vendas e të ftuar nga Bashkimi Europian, rast pas rasti sipas fushave, ku duhet të përfshihen në një proces të hapur e plotësisht transparent për publikun edhe institucionet kushtetuese e të pavarura të sistemit të drejtësisë si dhe të gjitha grupet përkatëse të interesit. Mbi këtë bazë jepet dakordësia se do të votohet çdo produkt të këtij procesi, i cili duhet të administrohet me të njëjtat parime të vlefshme për procesin e reformës zgjedhore: bashkëdrejtim, konsensus për çdo çështje e nen, mbështetur mbi kriterin themelor të përputhjes së legjislacionit tonë me standardet europiane dhe me moto pune rekomandimin e Bashkimit Europian se “Qeveria bashkë me opozitën kanë përgjegjësinë që, në mënyrë transparente dhe në respekt të plotë të Kushtetutës, të gjejnë zgjidhjet e nevojshme në rrugën e vendit drejt integrimit në BE”. Propozimi i mësipërm reflekton vullnetin dhe angazhimin tonë për të ndërtuar një proces gjithëpërfshirës e transparent për shqyrtimin e projektligjeve që kërkojnë 3/5-at e votave të anëtarëve të Kuvendit nga Komisioni Kuvendor i Ligjeve, duke marrë në shqyrtim të gjitha ndërhyrjet e nevojshme përmirësuese që janë propozuar si dhe ato që mund të adresohen në këtë proces në përputhje me standardet europiane. Ne jemi njohur me projektligjet që janë depozituar në Kuvend, për të cilat kërkohet votimi me shumicë të cilësuar (votimi me 3/5) dhe në vlerësimin tonë konstatojmë se : • Disa prej projektligjeve të depozituara nuk adresojnë problematikat reale të drejtësië dhe sigurisë në vend dhe janë të paharmonizuara me kuadrin kushtetues dhe ligjor në fuqi. • Inciativat ligjore karakterizohen nga mungesa e transparencës me publikun, shoqërinë civile e grupet e interesit dhe nuk janë konsultuar me këto të fundit. • Disa nga këto projektligje nuk reflektojnë plotësisht vrejtjet e propozimet e ekspertizës ndërkombëtare që kanë asistuar procesin e hartimit të tyre; • Një pjesë e amendimeve ligjore cenojnë sigurinë juridike të qytetarëve dhe kryesisht të bizneseve të vogla e të mesme. • Disa nga këto projektligje kërkojnë ndryshimin e disa normave kushtetuese. Të përgjegjshëm për rëndësinë e këtyre projektligjeve në funksion të sfidës së integrimit të vendit dhe forcimit të shtetit të së drejtës, të ndërgjegjshëm për të ndërtuar një proces ligjvëns transparent e sa më gjithpërfshirës dhe më preokupimin për ti dhënë një zgjidhje kësaj situate konkrete NE ju propozojmë dy alternativa konkrete : I. Të miratojmë një komision ad-hoc të atashuar pranë komisionit të ligjeve i cili bazuar në kalendarin përkatës të miratuar nga komisioni i ligjeve të ndërtojë një proces intensiv pune për shqyrtimin e projektligjeve të propozuara dhe projektligjeve të reja që do të duhet të shqyrtohen në kuadrin e reformës në drejtësi edhe në reflektim të rekomandimeve të Opinionit dhe Raport Progresit të BE. Për organizimin e këtij procesi ne propozojmë që Komisioni ad-hoc të jetë me përbërje të barabartë të dy palëve duke pasur konsensusin si parim bazë të vendimmarrjes së tij bazuar edhe në përvojën e komisioneve ad-hoc të reformave zgjedhore; Ne vlerësojmë se kjo rrugë është më frytëdhënëse për të ndërtuar një proces sa më transparent dhe sa më gjithpërfshirës, siguron një kontribut shumë më të mirë të ekspertizës profesionale në këtë proces dhe njëkohësisht garanton një proces më të shpejtë dhe më profesional përmes një angazhimi të fokusuar të anëtarëve të komisionit dhe grupit mbështetës të ekspertëve. Gjithashtu është shumë e rëndësishme të theksojmë se realizimin e këtij procesi përmes një komisioni ad-hoc ne e konsiderojmë si një mundësi për të krijuar baza të mira për të ndërtuar një bashkëpunim afatgjatë ndërmjet palëve lidhur me reformën në fushën e drejtësisë në reflektim edhe të rekomandimeve të Opinionit dhe Raport progresit të BE. II. Të ndërtojmë një proces efektiv përmes komisionit për Cështjet ligjore, Administratën publike dhe të Drejtat e Njeriut për shqyrtimin e projektligjeve të propozuara dhe projektligjeve të reja që do të duhet të shqyrtohen në kuadrin e reformës në drejtësi edhe në reflektim të rekomandimeve të Opinionit dhe Raport Progresit të BE. Ne vlerësojmë se kjo rrugë mund të jetë më e komplikuar për shkak të impenjimeve të tjera të komisionit të ligjeve në kalendarin e kuvendit, zhvillimit të debatit teknik në praninë e një numri shumë të madh deputetësh që ka ky komision në përbërje të tij, vështirësive në përfshirjen e ekspertizës pranë këtij komisioni etj çka mund të ndikojë në zgjatjen e procesit dhe kryesorja në cilësinë e tij si dhe në sigurimin e konsensusit të domosdoshëm të kërkuar për këto projektligje. Gjithsesi për të dy alternativat ne propozojmë një proces që do të ndërtohet mbi këto kritere dhe hapa konkrete : • Miratimi i një kalendari pune në shtrirje kohore (sipas projektit bashkëlidhur) së bashku me hapat proceduarialë që do të ndiqen për këtë proces; • Të miratojmë për secilin nga projektligjet relatorët përgjegjës nga të dy palët duke atashuar (kur çmohet e nevojshme) edhe ekspertët përkatës në mbështetje të tyre. Relatorët të paraqesin planin e përbashkët për organizimin e procesit të shqyrtimit të projektligjit përkatës; • Kalendari i komisionit të bëhet publik për t’ju dhënë mundësinë e shfaqjes së interesit dhe kontributit konkret kujtdo që dëshiron të ofroj ekspertizën e tij në këtë proces si dhe t’ju dërgohet të gjitha institucioneve dhe grupeve të interesit për të dhënë kontributet përkatëse; • T’ju kërkohet institucioneve përgjegjëse që nisur nga koha e gjatë që ka kaluar të shprehen nëse kanë propozime të reja rreth projektligjeve të propozuara prej tyre. E njëjta kërkesë t’ju adresohet edhe agjencive dhe misioneve të asistencës që kanë kontribuar në procesin e hartimit të këtyre projektligjeve për të dhënë komentet përkatëse rreth këtyre projektakteve (Euralius, OPDAT, USAID, OSBE etj); • Pranë komisionit të atashohen ekspertë të Kuvendit për të mbështetur teknikisht organizimin e procesit dhe shqyrtimin e projektakteve; • Komisionit ti krijohen kushtet për të siguruar përfshirjen, mbështetjen dhe asistencën aktive të një grupi ad-hoc konstitucionalistësh si edhe ekspertësh vendas (akademikë, pedagogë të së drejtës, ekspert të disiplinave të ndryshme nga rradhët e avokatisë, shoqërisë civile etj) rast pas rasti sipas fushave; • Të sigurohet ekspertiza e kualifikuar ndërkombëtare përmes asistencës së misioneve të BE (Euralius), SHBA (OPDAT), USAID, OSBE etj që asistojnë aktualisht sistemin e drejtësisë ose nëse do të çmohet e domosdoshme edhe ekspertë të thirrur rast pas rasti sipas interesit të çështjeve përkatëse; • Komisioni të ketë detyrën që mbështetur në propozimet e relatorëve përgjegjës për çdo projekt-akt të organizoj seanca dëgjimore publike me propozuesit e projekteve, me përfaqësuesit e institucioneve të sistemit të drejtësisë, grupeve përkatëse të interesit; • Gjithashtu komisioni të jetë i hapur të konsideroj çdo lloj kontributi të ekspertëve dhe qytetarëve të interesuar që janë të gatshëm të kontribojnë në këtë proces përmes propozimeve konkrete që mund ti adresojnë komisionit; Qëllimi i propozimeve të mësipërme është që të realizojmë një proces tërësisht transparent e gjithpërfshirës, të përshkruar nga fryma e debatit dhe asistenca e ekspertizës profesionale dhe jo një proces ligjvënës të mbyllur e formal si dhe një proces që ka si matës të produktit përgjegjshmërinë dhe efiçensën e sistemit, jo thjesht numrin e ligjeve dhe amendamenteve të propozuara dhe të miratuara. Ne synojmë një proces ligjvënës të ndërtuar tërësisht mbi baza kushtetuese, ligjore dhe standardet europiane. Ne mbetemi të hapur që të diskutojmë me kryesinë e komisionit në konsultim edhe me Konferencën e Kryetarëve një prej alternativave të mësipërme së bashku me kalendarin përkatës të shqyrtimit të këtyre projektligjeve.

Advertisement