Tiranë | PS: Do u kthejmë dinjitetin e nëpërkëmbur ish-të përndjekurve politikë

Partia Socialiste deklaroi sot se Qeveria e re po punon për të rivendosur në vend dinjitetin e nëpërkëmbur të të përndjekurve politikë dhe për të ofruar siguri financiare për ta, ndërsa akuzoi demokratët se në 8 vjet qeverisje e shpërfillën krejtësisht këtë shtresë.Në përgjigje të deklaratës së sotme të PD-së, sipas të cilës, qeveria po mashtron të përndjekurit dhe po bën demagogjinë e radhës me ta, deputeti socialist Besnik Bare, tha nga selia rozë se “deputetët e opozitës, që sot ankohen për ish të përndjekurit, kur ishin në qeveri duhet të kishin qenë të parët për të mbështetur grevën e urisë të organizuar nga ish të përndjekurit, të cilët nuk kishin marrë këstet e dëmshpërblimit. Por, qeveria e djeshme zgjodhi rrugën e arrogancës dhe refuzimit të bisedimit me ta, çka solli edhe në vdekjen tragjike të njërit prej grevistëve”. Sipas Bares, “gjatë qeverisjes së mëparshme, në vitin e parë u akorduan për të përndjekurit politikë vetëm 10 milionë dollarë. Dy vjet më vonë buxheti u bë 14 milion dollarë; pas dy vitesh të tjera shkoi në 17 milion dollarë. Kurse në vitin tonë të parë qeverisës, buxheti është 18 milion dollarë; më i lartë se në çdo vit paraardhës”.

Advertisement