Në një konferencë për shtyp deputeti Saimir Tahiri theksoi se u bënë tashmë thuajse 3 ditë që i madh e i vogël bëhen dëshmitarë të një procesi të turpshëm në KQZ-në e Ristanit e Saliut. “KQZ prej shumë kohësh nuk është më institucioni që duhet të administronte procesin zgjedhor me drejtësi, pavarësi e profesionalizëm, por është kthyer në bodrumin partiak të Saliut ku gangsterë, rrugaçë e militant të verbuar, nga Arben Ristani i pari e të tjerët, të mbrojtur me lëkurën politike të Sali Berishës, marrin guximin të kërcënojnë familjarisht vëzhguesit e PS e siç ndodhi sot, ti nxjerrin me dhunë jashtë KQZ. E gjithë kjo për të përmbushur vetëm një qëllim, të vazhdojnë të qetë seancat e turpit elektoral, për të manipuluar vullnetin e qytetarëve të Tiranës që deri në momentin e fundit të ligjshëm, atë të datës 14, shpallën fituesin e garës që siç e pamë të gjithë, ishte Edi Rama me 10 vota. Besoj nuk ka njeri që nuk është habitur e skandalizuar nga faktet kokëforta, të cilat as Ristani me gjithë rrugaçërinë ordinere e as përfaqësuesit e PD me deklarata politike, nuk i mbulojnë dot”, theksoi Tahiri. Për të përmendur vetëm disa, theksoi Tahiri: Në kutitë e NJB 1, rreth 20 QV rezultojnë me më pak fletë se zgjedhës. 4 QV rezultojnë me më shumë fletë se zgjedhës, ku vetëm një QV ka plot 21 fletë më shumë se zgjedhës. Kuti të thyera e të çara nga ku dalin vota të pafutura në asnjë zarf apo zarfi i fletëve të pavlefshme është zhdukur nga kutia. Fletë votimi të një QV që fluturimthi gjenden në kutitë e një QV tjetër. Fletë votimi të gjetura në një kuti, të vulosura me vulat e një tjetër QV. Kode Sigurie që janë tërësisht ndryshe nga ato që kanë vënë komisionerët, apo kuti pa kode sigurie. “Thuajse në të gjitha QV-të, mungon kodi i pestë i sigurisë, ai që do duhet të mbyllte hapësirën nga ku zgjedhësit kanë futur fletët e votimit, por që tashmë është lënë hapur për ti hapur rrugë Ristanizimit të kutive me vota shtesë për kandidatin e Saliut. Hajduti është ai që vjedh pa lënë gjurmë, ndërsa Ristanët e KQZ me urdhër politik, po vjedhin duke dhunuar, në mes të ditës, pa u kujdesur që të fshehin gjurmët që nuk i fshehin dot. Etja e Sali Berishës për pushtet, ka delegjitimuar tërësisht procesin zgjedhor, duke vazhduar këtë maskaradë që siç e tha dhe vetë Kolegji Zgjedhor, është në shkelje të Kushtetutës dhe vetë Kodit Zgjedhor. Arroganca e Ristanit nuk është ndryshe nga arroganca e Saliut për të manipuluar procesin zgjedhor, dhe për të bërë me dhunë humbësin Lulzim Basha fitues me vota të vjedhura. Ky proces është ilegjitim, manipulativ e spekulativ, e si i tillë, nuk mundet dot kurrsesi të legalizojë vjedhjen e zgjedhjeve në tavolinën e pushtetit. Ne thjeshtë, nuk do ta lejojmë”, nënvizoi Tahiri.


