Partia Socialiste reagoi sot, duke tërhequr vemendjen e strukturavë të policisë së shtetit për një angazhim më serioz në përmbushjen e detyrës, referuar intensifikimit të rasteve kriminale në vend ditët e fundit. Deputeti Saimir Tahiri, nëpërmjet një konference për shtyp, akuzoi policinë për mostrajtim serioz të denoncimeve, çka sipas tij, çon në krime jo të paparalajmëruara tashmë. “Krimet e fundit ishin të paralajmëruara, të denoncuara ose krime aq evidente e të hapura, sa Policia e Shtetit duhet t’i kishte ditur dhe t’i kishte parandaluar përpara se të vinin pasojat fatale”, deklaroi Tahiri. Në vijim të deklaratës, deputeti socialist, u bëri thirrje të gjithë punonjësve dhe drejtuesve të ndershëm të Policisë së Shtetit, të bëjnë detyrën për të garantuar sigurinë publike dhe paprekshmërinë e qytetarëve shqiptarë. Teksa ofroi mbështetjen e Partisë Socialiste për Policinë e Shtetit, Tahiri premtoi se pas shtatorit, do të fillojë një kapitull i ri, edhe për këtë strukturë. “Jepini qytetarëve shqiptarë atë që meritojnë, qetësinë publike për të jetuar të lirë nga kërcënimi i krimit. Pas shtatorit, të gjithë bashkë, do rilindim shpirtin, misionin dhe fuqinë e shtetit ligjor, duke rilindur skuadrën e policisë së shtetit”, apeloi ai.