Në një konferencë për shtyp, deputeti i PS-së, Ditmir Bushati, njëkohësisht kryetar i komisionit parlamentar të Integrimit, akuzoi kryeministrin Sali Berisha se nuk po bën përpjekje për të përmbushur reformat e rëndësishme për integrimin e vendit. “Shqipëria rrezikon të humbë për të tretën herë statusin dhe ta rëndojë edhe më tej perspektivën e bisedimeve për anëtarësim, sepse Berisha nuk ka dëshirë të plotësojë edhe standardet më minimale që burojnë nga prioritetet”, tha deputeti Bushati. Duke iu referuar humbjes për herë të dytë të statusit, ai tha se kjo ndodhi për shkak të vrasjeve të 21 janarit dhe vjedhjes së votave, ndërsa këtë vit kryeministri zgjodhi në postin e Presidentit të Republikës, ministrin e tij të Brendshëm. Bushati tha se opozita e ka dhënë kontributin e saj, duke bërë të gjitha përpjekjet për t’i dhënë Shqipërisë shansin e merituar europian, duke filluar nga i vetmi prioritet i përmbushur, sipas BE-së, që është zgjedhja transparente e Avokatit të Popullit dhe miratimi i ligjeve me 3/5 në Kuvend.