Tiranë – PS akuza PD-së për sabotim të procesit

Duke ngritur akuza direkte ndaj Partisë Demokratike, selia rozë ka deklaruar haptazi se komisionerët e saj janë duke sabotuar procesin dhe se po ushtrohet dhunë ndaj komisionerëve socialistë në grupet e numërimit. “Aktualisht, ka disa qendra numërimi që janë bllokuar nga Partia Demokratike, një kryetar KZAZ-je përshembull në Tiranë ka dhënë dorëheqjen duke bllokuar procesin. Ndërsa në KZAZ 46, mësuam se po ushtrojnë dhunë”, deklaroi zëdhënësja e Partisë Socialiste, Armela Imeraj. Më pas, ajo ka shtuar se procesi i numërimit të votave është bllokuar në Fier, Lushnjë dhe Berat. “Të dhënat janë ende të paplota edhe provizore, pasi mbeten edhe 25 % të votave të panumëruara, jemi ende larg përfundimit të numërimit”, tha ajo. Më tej, përfaqësuesja e PS-së u ka bërë thirrje vëzhguesve ndërkombëtarë që të vazhdojnë të ushtrojnë ndikimin e tyre pasi momenti i tanishëm i numërimit të votave paraqitet mjaft delikat. “U bëjmë thirrje të vijojnë procesin e ndikimit të tyre, pasi cenimi i këtij momenti të veçante, do të cenonte të gjithë procesin. Ne i sigurojmë shqiptarët se nuk do të ketë asnjë votë të vetme të panumëruar”, përfundoi deklaratën e saj zëdhënësja e Partisë Socialiste.

Advertisement