Tiranë – Propozimet e LSI merren në shqyrtim nga Presidenti

Lajmi është bërë me dijeni nga zëdhënësja për shtyp e kryeministrit, Erla Mëhilli, në një deklaratë për mediat, ku ka theksuar se qeveria i ka propozuar kreut të shteti, së pari “lirimin nga detyra të ministrit të Jashtëm, zotit Ilir Meta dhe emërimin e zotit Meta në detyrën e zv/kryeministrit dhe ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës në qeveri”. Së dyti, deklarata e qeverisë bën me dije se Presidentit iu propozua edhe “lirimi i zotit Edmond Haxhinasto nga detyra e zv/ministrit të Punëve Publike dhe Transportit dhe emërimi i tij në detyrën e ministrit të Jashtëm. Si edhe “lirimi nga detyra i ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, zotit Dritan Prifti”. “Kryeministri Berisha falënderon zotin Meta për kontributin e tij të vyer, në drejtimin e suksesshëm të Ministrisë së Jashtme dhe diplomacisë shqiptare, si dhe falënderon zotin Prifti për kontributin e tij të çmuar, në udhëheqjen e Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës dhe reformave të rëndësishme të ndërmarra në këtë fushë”, përfundon deklarata e qeverisë lidhur me ndryshimet në kabinetin qeveritar.

Advertisement