Tiranë – Prokuroria shpall akuzat për tragjedinë e “Gërdecit”

Ndryshe nga pretendimet publike të ish ministrit të Mbrojtjes Fatmir Mediu se tragjedia e Gërdecit ishte një sabotazh, Prokuroria ka deklaruar se shpërthimi ka qenë një gabim njerëzor. Në kërkesën për gjykim prej 140 faqesh thuhej se, në momentin që po kryhej një saldim brenda ambienteve ku kryhej demontimi, shkëndijat elektrike kanë rënë mbi masën e madhe të barutit dhe kanë shpërthyer. Në fillim të seancës gjyqësore, trupi gjykues ka hedhur poshtë 14 kërkesa të avokatëve mbrojtës, ndër to edhe kërkesën e ish drejtorit të MEICO-s Ylli Pinari për zhvillim të gjyqit me dyer të mbyllura. Ndërsa ka rezervuar të shprehet për kërkesat e dy të pandehurëve, Spahiut dhe Mullai për pavlefshmëri të deklarimeve të tyre dhe kërkesën e Zija Bahës për pavlefshmëri absolute të aktvendimit tekniko ushtarak. Sipas akuzës, të ngritur nga prokuroria, kreu i shoqërisë “Alba Demil”, Mihal Delijorgji, administratori Dritan Minxholli, kreu i “Meico”, Ylli Pinari dhe Sokol Ngjeci akuzohen për vrasje masive në bashkëpunim. Ndërsa ish-gjeneralët që drejtonin ushtrinë shqiptare janë akuzuar për shpërdorim detyre në bashkëpunim, me pasojë vdekje masive të 26 shtetasve dhe plagosjen e disa dhjetra të tjerëve. Sipas prokurorisë, në përzgjedhjen e fshatit Gërdec si vend demontimi, si edhe për mbështetjen me mjete ushtarake që i është dhënë kompanisë së Delijorgjit për demontimin e predhave, ushtarakët e lartë, Luan Hoxha, Shpëtim Spahiu, Zija Bahja, Agim Lala, si edhe sekretari i përgjithshëm Ardian Mullai kanë vepruar në kundërshtim me ligjin si edhe në kundërshtim me Kushtetutën. Prokuroria tha gjatë leximit të akuzës se ata i ishin bindur urdhërave të ministrit Fatmir Mediu. Një pjesë të mirë të akuzës për shpërdorimin e detyrës të kryer nga disa prej zyrtarëve të Ministrisë së Mbrojtjes, prokuroria e evidentoi në mënyrën e përzgjedhjes së firmës fituese në tender, për të cilën prokuroria tha se ishte paracaktuar si në rastin e firmës amerikane edhe në atë të firmës “Alba Demil”. Tragjedia e rëndë e 15 marsit 2008 shkaktoi 26 viktima dhe mbi 300 të plagosur. Pak kohë më parë, Gjykata e Lartë pushoi cështjen ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu i cili u akuzua për shpërdorim detyre.

Advertisement