Organi i akuzës nuk mundi të sigurojë dot të dhëna të cilat ajo i kishte kërkuar në rrugë zyrtare nga autoritetet e Bosnjës, Qipros dhe Zvicrës e përmes të cilave synonte të vërtetonte dyshimet për pastrim parash. Dje ishte dita e caktuar për skadimin e hetimeve ndaj serbo-boshnajkut, nëse prokuroria e Tiranës duhet t’i jepte fund apo jo shqyrtimit të dosjes, pra nëse ajo do t’i komunikonte një akuzë konkrete dhe të dërgonte dosjen në gjykatë, ose do të pushonte çështjen. Hetimet ndaj biznesmenit Fazlliç u shoqërua me shumë bujë për shkak të miqësisë direkte me kryeministrin Sali Berisha dhe familjen e tij, si dhe lidhjet me ministra të tjerë të kabinetit qeveritar. Këto hetime çuan edhe në një përplasje mes Prokuorisë dhe Ministrisë së Brendshme dhe Ministrisë së Drejtësisë. Fazlliç u dyshua se kishte kryer transaksione të paligjshme përmes regjistrimit të disa kompanive në Shqipëri që nuk kishin kryer aktivitet por nga të cilat njëra prej tyre ishte shitur me një vlerë prej 1.7 milion dollarësh. Paratë u transferuan në një bankë në Zvicër. Hetimet ndaj serbo-boshnjakut nisën më shumë se gjashtë muaj më parë, pasi dyshohej se kishte pastruar para në vendin tonë. Prokuroria vendosi për shtyrjen edhe për një muaj të afatit të hetimit ndaj biznesmenit, për të mësuar për fatin e letërporosive, nëpërmjet të cilave është kërkuar informacion për transaksionet bankare dhe veprimtarinë e kompanive të Fazlliç. Prokurorët dërguan letër-porosi në Zvicër por edhe në Qipro ku rezultonte që Fazlliç kishte shoqëri të tjera përmes të cilave kishte kryer transaksionet në Shqipëri, por tre vëndet nuk i dërguan informacionet e kërkuara nga Tirana.