Ka qënë vetë kryeprokurorja Ina Rama, e cila ka deklaruar se vendimi i Gjykatës të Lartë është i formës së prerë. Deklarata e Ina Ramës, për dosjen është e para që pas vendimit të Gjykatës së Lartë e cila e mbylli çështjen Durrës- Kukës, për shkak të skadimit të hetimit. Prononcimin kryeprokurorja Rama e bëri pas një seance dëgjimore me dyer të mbyllura mes krerëve të institucioneve të drejtësisë me përfaqësues diplomatik të Bashkimit Evropian në Shqipëri lidhur me ecurinë e reformave në sistemin e drejtësisë. Të pranishëm në këtë takim ishte dhe nënkryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë Kreshnik Spahiu, si dhe zëvendësministri i Drejtësisë. Spahiu u shpreh pas takimit se 27 përfaqësuesit e vendeve të Bashkimit Evropian në Shqipëri treguan interes të madh për ecurinë e reformave në drejtësi, projektligjet e miratuara dhe debatuar së fundmi si dhe imuniteti i gjyqtarëve, prokurorëve apo edhe korrupsioni në vend. “Ishte një seancë e gjatë ku për afro dy orë na u desh të ballafaqohemi me pyetje të ndryshme të diplomatëve të BE-së, të cilit ishin shumë të interesuar me problemet që lidhen me procesin legjislativ, me projektligjet e fundit të kaluara dhe debatuara në parlament, me çështjet që lidhen me imunitetin e gjyqtarëve, prokurorëve dhe politikanëve, çështjet që lidhen me pavarësinë e gjyqësorit dhe sistemit të drejtësisë si edhe problemet e korrupsionit të të gjithë sistemit por në veçanti atë të sistemit të drejtësisë.”- u shpreh Spahiu në prononcimin e tij për mediat. Gjithashtu në këtë seancë dëgjimore të përfaqësuesve të Bashkimit Europian u diskutua edhe për marrëdhëniet e institucioneve të drejtësisë në vendin tonë.