Komisoni parlamentar për Sigurinë zhvilloi mbledhjen e radhës, ku u diksutua mbi projekt-ligjin për mbikëqyrjen parlamentare të shërbimeve informative të sigurisë. Pjesë e këtij diskutimi kanë qenë edhe kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror, Visho Ajazi Lika, përfaqësuesi i prokurorisë së Përgjithshme Thoma Jano, si dhe përfaqësues të OJF-ve. Duke iu referuar përmbajtjes së projekt-ligjit, përfaqësuesit e këtyre institucioneve në komision, kanë vlerësuar se duhet ndërhyrë për të ndryshuar pika të caktuara të tij. Për kreun e SHISH, Ajazi, është e nevojshme që projekt-ligji duhet të diskutohet në mënyrë të detajur, para se institucioni që ai drejton, të japë objeksionet e veta. Ai tha se “në ligj duhet të përcaktohet në mënyrë decisive fusha e veprimit të tij”. Në mbrojtje të interesave të institucionit që përfaqëson, Thoma Jano, shtroi kërkesën për ndryshim të atyre neneve që cënojnë pavarësinë e prokurorisë së Përgjithshme. Ndërkaq përfaqësues të OJF-ve, duke konstatuar përplasje mes neneve të këtij projket-ligji, janë përqëndruar në rëndësinë e moscënimit të të drejtave të njeriut. Ky ligj parashikohet të rregullojë mbikqyrjen parlamentare të Shërbimeve Informative dhe të Sigurisë të Republikës së Shqipërisë. Ai paraqet përbërjen, kompetencat, detyrat dhe metodologjinë e punës së organit mbikqyrës, i cili ka autoritetin që të mbikqyrë këto organizata, marrëdhëniet e tyre me Kuvendin e Republikës së Shqipërisë , Qeverinë e Republikës së Shqipërisë , ministrat, autoritete të tjera shtetërore dhe me organizata ose individë të tjerë.