Tiranë – Pritet shpallja e rezultatit për qarkun e Fierit, PS fiton mandatin e nëntë

Paraprakisht, Partia Socialiste merr mandatin e nëntë në këtë qark, PD 6 mandate dhe LSI 1 mandat. Në këtë mënyrë, koalicioni i majtë merr 66 mandate në rang vendi dhe aleanca e djathtë 70 mandate. Pas numërimit të votave të 8 kutive të votimit, që ishin lënë pa numëruar nga KZAZ-ja e këtij qyteti dhe rivlerësimit të dy rezultateve të dy kutive të tjera, konfirmoi paraprakisht faktin se Piro Lutaj, kandidati i PS-së në vendin e nëntë e ka marrë tashmë mandatin, por pritet vetëm njoftimi zyrtar i KQZ-së. Numërimi i kutive të Fierit, aq të debatuara mes dy partive politike, filloi rreth orës 10:45 minuta. Pjesa më e madhe e numërimit kaloi pa debate në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, përveç kutisë së votimit 3006, ku nga fletët e numëruara shumë prej tyre rezultuan të pavlefshme. Kjo kuti kishte 556 fletë votimi dhe sipas përkatësive politike, PS-ja kishte 301 vota, 226 prej të cilave të kontestuara, PD-ja 135 vota, prej të cilave 89 të kontestuara, PDI-ja 35 vota dhe LSI 22 vota, 14 prej të cilave të kontestuara. Përfaqësuesi i PD-së në KQZ, Njazi Kosovrasti propozoi dje pasdite që të mos përfshiheshin në tabelë përfundimtare rezultatet e kutive të votimit 3006 dhe 3017. “Mungesa në këto 315 fletëvotimi e stemës së republikës lind dyshimin se ç’janë këto fletë të futura në kuti”, deklaroi dje Kosovrasti. Nga ana e saj, anëtarja e KQZ-së, Vera Shtjefni kërkoi që rezultatet e kutisë së votimit 3006 të mos përfshiheshin në tabelën përfundimtare, pasi sipas Kodit nuk mund të cilësohen të tilla kur 50% e fletëve të votimit në një kuti dalin të pavlefshme. Por një gjë e tillë nuk u pranua nga përfaqësuesit e tjerë në KQZ, si Dëshira Subashi apo Artan Lazaj, të cilët kërkuan që edhe këto fletë të konsideroheshin të vlefshme dhe të përfshiheshin në rezultatin përfundimtar.

Advertisement