“Për publikun dua të konfirmoj si dëshmitar i ngjarjes se video e shfaqur në Fiks Fare është e saktë dhe përmban thënie origjinale të Ilir Metës në bisedën me mua. Video është shkurtuar nga versioni origjinal, duke u hequr pjesë të panevojshme, por të gjitha ato që janë transmetuar janë të vërteta. Unë kam versionin origjinal të videos dhe do t`ja vë në dispozicion Prokurorisë. Do t`ja vë atë së shpejti në dispozicion të gjitha ambasadave të huaja në vend, institucioneve ndërkombëtare që na monitorojnë dhe merren me zbatimin e ligjit, OSBE, Bashkimit Europian, Këshillit të Europës, Komisionit Europian, etj. Origjinalitetin dhe vërtetësinë e asaj bisede do të kenë mundësi ta vërtetojnë të gjithë” theksoi Prifti. Gjithashtu Prifti thekson se urdhri i Metës për anullimin e tenderit në Albpetrol, në mënyrë që tenderin tjetër ta fitonte miku i tij është i qartë si kristali me figurë dhe me zë. “Urdhëri kërcënues për të dhënë një koncesion hidrocentrali bashkimit të firmave të udhëhequr nga vëllezërit Tola dhe pasuar nga miku tij Agim Rrapaj dhe ortaku i tij Fatmir Merkaj janë të kristaltë në figurë dhe në zë. Ai ngul këmbë me figurë dhe me zë të kristaltë që ata kanë fituar dhe se po të shkoj çështja në gjykatë të lartë, ata përsëri do fitojnë sepse ky ka mikeshë kryetaren e Gjykatës së Lartë. Ai me figurë dhe zë kristali telefonon Agim Rrapajn nga telefoni i tij dhe ma nxjerr mua në telefon. Ai ofron 7% si shpërblim me figurë dhe zë të kristaltë. Publiku e kupton qartë kush është i pastër si kristali, Ilir Meta apo video e Fiks Fare” thekson më tej Prifti.