Tiranë – Prifti mbron veten dhe sulmon LSI

Ministri i Ekonomisë, deklaroi se ka punuar gjatë gjithë kësaj kohe nën presion dhe kërcënime të vazhdueshme, duke theksuar edhe atë që kryeministri Berisha kishte thënë dje pas vendimit të LSI-së, se: “Ministri i Punëve të Jashtme Ilir Meta dhe aleati i tij kryesor në qeveri kishte gjashtë muaj që i kërkonte largimin e vet nga posti i shefit të diplomacisë, me arsyen se kërkonte të ishte më afër LSI-së, dhe se detyra aktuale nuk i jepte kohë të ishte pranë strukturave drejtuese për shkak të axhendës së ngjeshur ndërkombëtare”. Duke iu referuar kërkesës për largimin e tij nga kabineti qeveritar, ministri Prifti deklaroi qejfmbetjen e tij për këtë vendim të marrë nga kryesia e LSI-së, që sipas deklaratave të ministrit në largim la të kuptohej se nuk ishte edhe aq unanim sikundër u reklamua, porse ishte një presion i bërë nga emra të caktuar në LSI, të shprehur kundër zotit Prifti. Ai shprehu pakënaqësinë se ky vendim u mor në mungesë të tij, ndërsa vetë ministri Prifti, nënkryetar i LSI-së, i kishte kërkuar kryesisë të mos mblidhej dje, pasi ai kishte një problem familjar, gjë që nuk u mor parasysh. Në këtë kontekst, Ministri i Ekonomisë dhe Energjitikës, tashmë vetëm deputet i LSI-së në parlament siguroi se në ditët e ardhshme do të takohej me kreun e LSI-së, Ilir Meta, tashmë edhe ministër i Ekonomisë i dekretuar nga Presidenti i Republikës. Sipas tij do të diskutojë për arsyet e vërteta të largimit nga kabineti qeveritar, për të cilin ish ministri pohoi se ka punuar me korrektesë ndaj shtetit dhe qytetarëve. Ministri i Ekonomisë shprehu në krye të deklaratës së tij shprehu edhe mirënjohjen për kryeministrin Sali Berisha dhe Lëvizjen Socialiste për Integrim, që i dhanë mundësinë të drejtonte për një vit të tërë dikasterin e rëndësishëm të Ekonomisë, Tregëtisë dhe Energjitikës. Në deklaratën e ministrit të Ekonomisë, Dritan Prifti edhe pse jo drejtpërdrejt, u kuptua qartë se vendimi për largimin e tij nga posti i ministrit dhe ofrimit për këtë portofol qeveritar të vetë liderit të LSI-së, dhe zëvendëskryeministrit Ilir Meta, ishte një vendim jo unanim i kryesisë sikundër u reklamua dje nga sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Luan Rama, por një vendim i përfolur prej kohësh brenda LSI-së, që thekson një konflikt të disa anëtarëve të saj me zotin Prifti. Megjithatë, zoti Prifti ka garantuar se tani e tutje do të jetë edhe më aktiv në politikë si deputeti i LSI-së në Parlament, duke lënë të kuptohet se ai nuk do ta lërë me kaq këtë çështje.

Advertisement