Tiranë – Prifti: Meta i bën presion qeverisë me tre vota në parlament

Sunday, December 14, 2025

“Ilir Meta mban në këmbë vetëm me 3 deputetët e LSI-së, qeverinë më të korruptuar, qeverinë e integrimit të hajdutëve” theksoi Prifti. Gjithashtu ai i ka kërkuar kryeministrit Berisha të prishë koalicionin me LSI-në në interes të vendit duke theksuar se Meta i bën shantazh Berishës me 3 votat që ka në parlament. “I bëj thirrje zotit Berisha të vendosë interesat e vendit mbi interesat e qëndrimit në pushtet. Koalicioni me LSI duhet të prishet sa më shpejt dhe mjaftojnë denoncimet e mia për të kuptuar se kjo parti po mban në pushtet PD-në vetëm për të vjedhur. Meta bën presion ndaj Berishës vetëm me ato tre vota në parlament dhe nëse nuk do ishte kjo Berisha do mbante qëndrim tjetër. Meta kërkon të bëjë pazare e të vjedhë për të blerë vota në zgjedhje. Kam patur mesazhe edhe nga militantë të PD-së të cilët janë të zhgënjyer me këtë qeveri. Ata janë të zhgënjyer me qëndrimin që mban PD dhe Berisha para ekspozimit të një fakti të tillë kaq të tmerrshëm” theksoi Prifti. Ai gjithashtu i ka bërë thirrje prokurorisë të shpejtojë hetimet për verifikimin e videos duke garantuar që video është e paprekur. “Garantoj se video është e paprekur dhe unë mbaj përgjegjësi penale, morale dhe politike nëse video që kam dorëzuar është e prekur dhe e manipuluar. Loja e montazhit bëhet vetëm për të fituar kohë për të blerë median dhe drejtësinë. Për fat regjistrimi është bërë me një orë që tregonte orën dhe sekondat para shqiptarëve”, u shpreh Prifti. Gjithashtu Prifti deklaroi se pas lënies së postit të ministrit të ekonomisë ai është takuar një herë me kreun e PS-së Edi Rama dhe kjo në prani të kryetarit të grupit parlamentar të PS-së, Ruçi dhe dy deputetëve të tjerë. “Me Ramën jam takuar njëherë pas largimit si ministër dhe kjo në prani të Ruçit dhe dy deputetëve të PS. Kemi diskutuar për një mënyrë bashkëpunimi, por nuk ka marrëveshje. Unë jam në opozitë dhe bashkëpunimi me partinë më të madhe në opozitë do të ishte i drejtë”, theksoi Prifti. I pyetur nga mediat nëse do të bashkohet me Partinë Socialiste, Prifti theksoi se ka 3 alternativa në kokë por është duke i shqyrtuar më tej përpara se të vendosë. “Kam tre alternativa, atë të bashkimit me PS-në, krijimin e një force politike si dhe të lë këtë politikë të qelbur dhe të shof hallet e mia” theksoi Prifti.

RELATED ARTICLES
- Advertisment -