Tiranë – Prezantohet plani rregullues i Tiranës në mbledhjen e Këshillit Bashkiak, akuza e fyerje mes të pranishmëve

Prezantimi i planit rregullues është bërë nga administratori i Bashkisë së Tiranës, Dritan Agolli. Sipas tij, hartimi i planit nisi në vitin 2004 dhe mbaroi në dhjetor të vitit 2008. Për prezantimin e tij janë bërë 8 dëgjesa publike me qytetarët e kryeqytetit. Sipas parashikimeve të ekspertëve, në vitin 2020 Tirana do të ketë 1 milionë e 40 mijë banorë. Në projekt mendohet të ketë mundësi banimi për 400 mijë banorë të rinj të kryeqytetit. Sipas planit, kryeqyteti do të ketë 14 qendra dytësore të cilat do të lehtësojnë lëvizjet vetëm me një drejtim drejt qendrës së vetme që ka aktualisht Tirana. Gjithashtu parashikohet të hapen 200 mijë vende pune. Plani përcakton hierarki të rrjetit rrugor. Në plan është përfshirë ndërtimi i 175 ha sipërfaqe hapësirë e gjelbërt, parashikohet të ndërtohen dy parqe urbane, në Paskuqan e Farkë. Sipas Agollit, plani përballon sfidat e reja që janë rritja e popullsisë e punësimi. Në plan është përfshirë dhe ndërtimi i kampusit të ri universitar. Mbledhja e Këshillit Bashkiak të Tiranës ka gjeneruar në lumë akuzash e fyerjesh mes administratorit të Bashkisë, Dritan Agolli dhe këshilltarit të PD, Gjergj Bojaxhi. Agolli në fjalën e tij ka deklaruar se ky plan rregullues është diskutuar me qytetarët dhe për shumë muaj me radhë ka qenë i ekspozuar në qendër të kryeqytetit. Ai ka kërkuar nga këshilltarët të mos politizojnë planin pasi ai i përket qytetarëve e jo politikës. Por kjo ka çuar në shpërthim të debatit pasi Bojaxhi e ka kundërshtuar duke deklaruar se kjo nuk ka ndodhur. Debati është kthyer në akuza mes palëve ku Bojaxhi e ka cilësuar administratorin si gënjeshtar, pasi nuk ka pasur asnjë konsultim me qytetarët. Agolli e ka kundërshtuar duke e cilësuar atë si njeri që po fyen jo vetëm atë por gjithë administratën e bashkisë, e cila ka mbi supe gjithë peshën e punës së bërë për realizimin e planit rregullues. “Unë jam një punonjës i thjeshtë i shtetit dhe nuk të lejoj që ti të më quash të korruptuar e të fyesh punën time dhe të kolegëve të mi”, i ka thënë Agolli këshilltarit të PD, Gjergj Bojaxhi. Më pas kryetari i këshillit Bashkiak, Sokol Dervishaj ka vendosur të ndërpresë mbledhjen për të qetësuar situatën duke u dhënë mundësi këshilltarëve të pushojnë për pak minuta.

Advertisement