Një fakt të tillë, presidenti i Republikës, Bamir Topi, e ka pohuar gjatë një fjalimi që mbajti në aktivitetin “Liderët në Politikë”, organizuar nga Instituti Amerikan për Drejtësinë, me rastin e trajnimit dhe certifikimit për mjaft femra që duan të marrin pozicione drejtuese. “Ligji mazhoritar për zgjedhjet, i diskriminonte gratë, prandaj ligji proporcional përbën një arritje. Por nuk duhet gjithsesi, të jemi të lumtur me përfaqësimin në nivelin prej 30% të grave në lista”, tha në fjalën e tij, kreu i shtetit. Ai u bëri thirrje grave, duke u thënë atyre të mos presin të ndihmohen nga psikologjia maskiliste, por u bëri thirrje ta ndihmojnë njëra-tjetrën. “Roli i gruas, është jetik në shoqëri. Roli i tyre në perspektivë ka qenë i jashtëzakonshëm, por në të ardhmen ka për të qenë edhe më i madh. Në parlament, të vejë përfaqësia më e mirë”, tha më tej kreu i shtetit. Sipas tij, konkurrimi duhet të jetë i lehtë dhe i hapur edhe për gratë dhe se duhet të mos vendosen kushte ndaj tyre, pasi e kundërta nuk do të ishte një gjë e mirë. Presidenti i Republikes, Bamir Topi gjatë fjalës së tij u bëri apel institucioneve, politikanëve dhe zonjave që të denoncojnë publikisht incidentin e ndodhur disa ditë më parë, ku një zonjë e verbër u dhunua. Kreu i shtetit theksoi se ai akt i shëmtuar, dëmton jo vetëm një individ, por imazhin e shoqërisë shqiptare dhe perspektivën e saj në të ardhmen. “I bëj thirrje specifike zonjave që të mos qëndrojnë indiferente, po me qëndrimin e tyre të reagojnë ndaj këtij akti”, u shpreh Topi. Edhe ambasadori amerikan, John Withers, i cili ishte i pranishëm në ceremoni vlerësoi rritjen e kuotave, po kërkoi nga gratë që të mos kënaqen me këtë nivel, po të kenë gjithnjë ambicie dhe kërkesa në një shoqëri të barabartë. “Mbështetja juaj dhe puna juaj bashkë me aktorët e tjerë të shoqërisë, mund të sjellë ndryshim të thellë. Unë jam i bindur se ju do ta bëni këtë ndryshim”, u shpreh Withers.